Gazetari i njohur nga Republika e Shqipërisë, Lutfi Dervishi, e vizitoi sot Universitetin e Tetovës, ku u prit nga Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti dhe Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Më pas, në Klinikën Juridike të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, nën moderimin e koordinatores së kësaj qendre, Doc. Dr. Njomza Selimi – Osmanit, ai mbajti ligjëratë me temën “Mendimi kritik dhe verifikimi i informacionit në epokën digjitale, gjatë së cilës trajtoi sfidat e informimit në kohën e rrjeteve sociale dhe të inteligjencës artificiale.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët dhe të pranishmit, ai u përqendrua te rëndësia e mendimit kritik, e verifikimit të fakteve dhe përgjegjësisë në shpërndarjen e informacionit, në një kohë kur përmbajtjet e rreme, fotografitë e manipuluara dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dallimin ndërmjet realitetit dhe fabrikimit.
Në ligjëratën e tij, gazetari prezantoi konceptin e “teorisë së tri botëve”: botës reale, botës virtuale dhe botës sintetike. Përmes këtij modeli, shpjegoi se si ngjarjet reale pasqyrohen dhe interpretohen në rrjetet sociale, ndërsa teknologjitë e inteligjencës artificiale mund të krijojnë përmbajtje që nuk përputhen me realitetin, por që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimet dhe sjelljen e njerëzve.
Një pjesë e rëndësishme e ligjëratës iu kushtua edhe rolit të gazetarisë profesionale në mjedisin e ri mediatik. Z. Dervishi theksoi se mundësia për të publikuar përmbajtje nuk e bën automatikisht dikë gazetar, pasi gazetaria e mirëfilltë mbështetet në verifikimin e informacionit, pavarësinë, kontekstin, transparencën dhe përgjegjësinë publike.
Ai vuri në pah se mendimi kritik nuk nënkupton kundërshtimin e gjithçkaje apo mosbesimin ndaj të gjithëve, por aftësinë për të shqyrtuar pretendimet, për të vlerësuar provat, për të dalluar faktin nga interpretimi dhe për të ndryshuar qëndrim kur shfaqen dëshmi të reja.
Në këtë kontekst, u theksua edhe përgjegjësia e institucioneve arsimore në përgatitjen e studentëve për t’u përballur me sfidat e epokës digjitale. Sipas mesazhit të ligjëratës, universitetet duhet t’i aftësojnë të rinjtë jo vetëm për ta përdorur teknologjinë, por edhe për ta verifikuar informacionin dhe për t’i vlerësuar në mënyrë kritike përgjigjet e prodhuara nga inteligjenca artificiale.
Në përmbyllje, Lutfi Dervishi përcolli mesazhin se, në një kohë kur informacioni mund të manipulohet dhe përmbajtjet mund të fabrikohen lehtësisht, e vërteta mbetet thelbësore dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm për t’u zbuluar dhe mbrojtur.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume