Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka shpallur të paligjshëm arrestimin në flagrancë të 13 personave të ndaluar gjatë protestave antiqeveritare, duke urdhëruar lirimin e tyre të menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër.
Sipas vendimit të shpallur më 22 tetor 2026, gjykata shqyrtoi kërkesat e Prokurorisë për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimeve dhe caktimin e masave të sigurimit personal për 20 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale gjatë protestave.
Për 13 prej tyre, gjykata e vlerësoi arrestimin si të paligjshëm dhe vendosi të mos caktojë asnjë masë sigurimi.
Ata akuzoheshin për vepra të dyshuara që lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme, kundërshtimin e punonjësve të policisë, prishjen e qetësisë publike, pengimin e qarkullimit, dëmtimin e pronës dhe goditjen për shkak të detyrës.
Ndërkohë, për shtatë persona të tjerë, gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë, por vendosi masa të ndryshme sigurie. Për disa prej tyre u caktua masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, ndërsa për një person u vendos masa “Arrest në shtëpi”.
Një tjetër person, E. B., i dyshuar për kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik, përfitoi gjithashtu nga vendimi për shpalljen të paligjshëm të arrestimit dhe moscaktimin e një mase sigurimi.
Në vendim, gjykata urdhëroi Prokurorinë dhe Policinë Gjyqësore për zbatimin e tij. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit.
Vendimi lidhet me ligjshmërinë e arrestimeve dhe masat e sigurisë ndaj personave nën hetim; ai nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë e tyre.