Mbështetja publike për Artan Grubin vazhdon me deklarata të reja nga persona që shprehin gatishmërinë për të ofruar garanci pasurore për lirimin e tij informon Tetovasot.
I riu nga Çairi, Sheval Baftiu, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka deklaruar se është i gatshëm të vendosë në dispozicion gjithçka që ka ndërtuar me mundin e tij.
“Çfarëdo që kam ndërtuar me mundin tim, pronë, pasuri dhe çdo gjë tjetër që mund ta vë në dispozicion, jam i gatshëm ta vë në dispozicion të Artan Grubit, sepse ky është besimi im personal,” ka shkruar Baftiu.
Ai ka theksuar se qëndrimi i tij, sipas tij, nuk lidhet me interes apo ekspozim publik.
“Nuk e them këtë për një postim, për një fotografi apo për një interes. E them sepse besoj se njeriu nuk braktiset vetëm pse mbi të bien akuza dhe presion,” ka deklaruar ai.
Baftiu ka shtuar se beson se koha do të tregojë të vërtetën.
“Koha do ta ndajë të vërtetën nga propaganda. Deri atëherë, unë e mbaj qëndrimin tim dhe përgjegjësinë për fjalët e mia,” ka shkruar ai.
Në fund të reagimit të tij, ai është shprehur se Artan Grubi ka ende mbështetës.
“Artan Grubi nuk është vetëm. Pas tij qëndron një ushtri njerëzish që nuk e kanë harruar punën, kontributin dhe atë që kanë besuar tek ai,” përfundon deklarata e Sheval Baftiut.