Me ftesë të Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Maqedonisë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, iu drejtua Kongresit të VIII të kësaj organizate sindikale, i cili po mbahet sot në Shkup.
Në përputhje me agjendën e punës, në Kongres pritet të miratohen dokumentet programore që do të përcaktojnë veprimtarinë e sindikatës për periudhën e ardhshme pesëvjeçare, si dhe të votohet për përbërjen e re të udhëheqjes sindikale.
“SASHK-u është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë dhe socialë të Qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Së bashku kemi hartuar shumë politika. Më vjen mirë që shpesh marr propozime dhe sugjerime nga anëtarësia dhe udhëheqja juaj, të cilat kontribuojnë ndjeshëm në marrjen e vendimeve të drejta. Nuk kam asnjë kundërshtim ndaj asnjë vërejtjeje, ideje apo mendimi. Përkundrazi, jam e kënaqur që çdo sfidë e tejkalojmë së bashku, përmes dialogut”, tha Janevska.
Theksoi se është veçanërisht krenare që pikërisht gjatë mandatit të saj është arritur marrëveshja për rritjen afatgjatë dhe reale të pagave në shkollat fillore dhe të mesme, e cila, për herë të parë, është e ndërlidhur me normën e inflacionit. Ajo rikujtoi se deri më tani, në zbatim të marrëveshjes së arritur, janë realizuar tri rritje të pagave, në përqindje kumulative prej mbi 20 për qind.
“Gjatë dy viteve të fundit, mbi 300 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionalë kanë pasur mundësinë për zhvillim në karrierë dhe avancim në titullin mentor ose këshilltar, ndërsa të gjithë kanë qenë të përfshirë në programet e zhvillimit profesional, nëpërmjet një game të zgjeruar trajnimesh të organizuara nga Byroja për zhvillimin e arsimit, si dhe nga institucione dhe organizata partnere”, shtoi ministrja.
Janevska theksoi gjithashtu se është miratuar legjislacion i ri, si dhe Strategjia për arsimin 2026–2032, në hartimin e të cilave SASHK-u ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm.
Qeveria ka ndërmarrë masa për përmirësimin e kushteve të punës në mënyrë të barabartë në të gjitha komunat e vendit, duke siguruar buxhetin më të lartë deri më tani për arsimin dhe investimet kapitale. Në këtë kuadër, janë realizuar 90 projekte, me vlerë të përgjithshme prej 70 milionë eurosh.
Gjithashtu, siç theksoi Janevska, është lehtësuar ngarkesa administrative e mësimdhënësve përmes vënies në përdorim të ditarit të ri elektronik, me funksionalitet dukshëm më të avancuar krahasuar me sistemin e mëparshëm.
“Komunikimi i mirë, mirëkuptimi dhe bashkëveprimi janë faktorët kryesorë që mundësojnë vazhdimësinë dhe arritjen e rezultateve konkrete nga partneriteti ynë. Për këtë arsye, besoj se, pavarësisht nga rezultati i Kongresit të sotëm dhe zgjedhja e udhëheqjes së re, do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, me synimin për të arritur rezultate pozitive”, deklaroi ministrja.
Duke iu drejtuar anëtarësisë sindikale, ministrja përcolli mesazhin se ndërtimi i një sistemi arsimor me cilësi më të lartë dhe përmirësimi i rezultateve të nxënësve duhet të mbeten objektiva të përbashkëta, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror.


