Janevska: E kemi rritur gjithëpërfshirjen me numrin më të madh të asistentëve arsimorë, me kuadër profesional dhe teknologji asistive
Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë është mundësi për të kujtuar se deri ku kemi arritur
si shoqëri në përmbushjen e obligimit tonë për t’i mundësuar çdo fëmije të realizojë ëndrrat,
talentet dhe potencialet e tij. Kjo Qeveri premtoi se do të rriste gjithëpërfshirjen e sistemit
edukativo-arsimor në tërësi dhe këtë po e bëjmë, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës,
Vesna Janevska, gjatë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, që u mbajt në
Kuvend, në organizim të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave me Aftësi
të Kufizuara dhe organizatës „Zeta – Organizata për Aftësi të Kufizuara dhe Drejtësi”, në
bashkëpunim me Shkollën Shtetërore për Rehabilitimin e Fëmijëve dhe të Rinjve me Dëmtim
të Shikimit „Dimitar Vllahov” dhe Lidhjen Kombëtare të të Verbërve.
Ajo theksoi se gjatë këtij viti shkollor është angazhuar numri më i madh i asistentëve
arsimorë deri më tani: 1.602 në shkollat fillore në mbarë vendin dhe 176 në arsimin e mesëm.
Gjithashtu, është në zhvillim e sipër procedura për angazhimin e një numri shtesë të
personave profesionistë për asistencë arsimore.
„ Në drejtim të rritjes së gjithëpërfshirjes është edhe forcimi i shërbimeve profesionale në
shkolla, përmes angazhimit të kuadrit të nevojshëm. Paralelisht, po përmirësojmë qasjen në
objektet shkollore përmes vendosjes së rampave dhe ndërtimit të tualeteve për nxënësit me
nevoja të veçanta. Gjithashtu, kemi prezantuar dy kategori të reja të bursave studentore, të
dedikuara për studentët me aftësi të kufizuara dhe ata me sëmundje të rralla”, shtoi ministrja.
Shkolla Shtetërore për Rehabilitimin e Fëmijëve dhe të Rinjve me Dëmtim të Shikimit
„Dimitar Vllahov”, që nga viti i kaluar funksionon si qendër burimore dhe aty punojnë
edukatorë specialë dhe rehabilitues, mësimdhënës dhe profesionistë të cilët janë të trajnuar
për edukimin e këtyre nxënësve me nevoja të veçanta arsimore.
„ Këtë vit shkollor, në këtë shkollë të vetme të këtij lloji në nivel shtetëror, janë regjistruar
më shumë nxënës se vitin e kaluar. Kjo dëshmon njohjen e cilësisë së punës edukativo-
arsimore, mundësinë për të marrë ndihmën e duhur profesionale dhe rritjen e besimit që
prindërit kanë tek institucioni”, theksoi ministrja Janevska.
Shkolla është e pajisur me teknologjinë më moderne asistive, falë angazhimit të përbashkët
dhe bashkëpunimit me kompani me përgjegjësi shoqërore. Kjo praktikë duhet të vazhdojë,
sepse është shumë e rëndësishme që fëmijët me nevoja të veçanta arsimore të kenë qasje në
mjetet dhe zgjidhjet më të fundit teknologjike, të cilat do t’u mundësojnë të mësojnë më
lehtë, të jenë më të pavarur dhe të marrin pjesë në mënyrë më të barabartë në procesin
arsimor dhe në jetën e përditshme.
„ Burimet e kufizuara janë pengesa kryesore për krijimin e kushteve më të mira për
zhvillimin e mësimdhënies cilësore. Megjithatë, kjo mund të kompensohet përmes trajnimeve
më cilësore, komunikimit më të mirë ndërmjet të gjithë faktorëve dhe natyrisht, përmes
avancimit strategjik të sistemit arsimor gjithëpërfshirës”, shtoi ministrja Janevska,duke
theksuar gjithashtu nevojën për ngritjen e ndërgjegjësimit publik se aftësia e kufizuar nuk e
përcakton personalitetin e njeriut dhe se duhet të ndërtojmë një shoqëri në të cilën çdo i ri do
të ketë mundësinë të zgjedhë të ardhmen e tij.




