Janevska në Bruksel: E kemi nxitur veprimtarinë kombëtare shkencoro-kërkimore, tani po punojmë për ndërlidhjen rajonale dhe globale
Kemi bërë shumë për ta nxitur veprimtarinë shkencoro-kërkimore në nivel kombëtar. Arritja kryesore është shndërrimi i nismave individuale inovative në një ekosistem kombëtar të mirëorganizuar të inovacionit. Brenda një periudhe të shkurtër, e kemi dyfishuar buxhetin për shkencën, kemi vendosur një kornizë të re strategjike dhe kemi përgatitur zgjidhje të reja ligjore, si dhe kemi modernizuar infrastrukturën kombëtare kërkimore. Tani jemi të orientuar drejt ndërlidhjes me rrjetet kërkimore rajonale dhe globale.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, në takimin e sotëm ministror të Platformës Drejtuese për Kërkimin dhe Inovacionin për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Bruksel, në organizim të Komisionit Evropian.
„Kemi formuar Këshillin kombëtar për Inovacion, sipërmarrësi dhe zhvillim teknologjik, i cili është përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve dhe nismave kombëtare. Gjithashtu, kemi themeluar një Agjenci të veçantë për Inovacion, zhvillim shkencoro-teknologjik dhe sipërmarrësi, e cila do t’u lehtësojë kompanive, studiuesve dhe inovatorëve qasjen në mjete financiare dhe shërbime”, tha Janevska.
Informoi se Maqedonia ka 7 qendra për transferimin e teknologjive, 5 inkubatorë teknologjikë dhe një park privat shkencor-teknologjik, ndërsa është në proces themelimi një park virtual shkencor-teknologjik dhe parku i parë teknologjik që do të jetë tërësisht nën kompetencën e shtetit. Janevska shtoi gjithashtu se projekti VEZILKA është pika e parë kombëtare e kontaktit në rrjetin evropian të fabrikave të inteligjencës artificiale.
“Fokusi kryesor aktual është zvogëlimi i “ largimit të trurit” dhe krijimi i kushteve për mbajtjen e studiuesve të rinj në vend, ku pritet që ata të realizojnë potencialin e tyre person-al”, tha ministrja, duke theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të ngjashme në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, si dhe mundësi të njëjta për të kontribuar në mënyrë të barabartë në përballimin e përbashkët rajonal të këtyre sfidave.
“Kemi strategji kombëtare për specializimin e mençur dhe së bashku me Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave, konsideroj se këto janë dokumentet më të rëndësishme, zbatimi i të cilave do të nxisë më tej dhe në masë të madhe shkencën dhe veprimtarinë kërkimore në rajon, por gjithashtu do të rrisë produktivitetin dhe rritjen ekonomike të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi Janevska.
Së bashku me disa ministra të Arsimit dhe Shkencës nga rajoni, Janevska mori pjesë në de-bat për hartimin e politikave të orientuara drejt mbështetjes së inovacionit, si dhe në një de-bat për praktikat e mira në kërkimin shkencor. Më vonë gjatë ditës, ajo do të zhvillojë edhe takim dypalësh me komisioneren evropiane për startup-et, kërkimin shkencor dhe ino-vacionin, Ekaterina Zaharieva.