Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve juridike, Gordan Kallajxhiev, vlerëson se rasti ndaj ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, në lëndën “Lotaria Shtetërore”, është politizuar që nga fillimi dhe se nuk ekzistojnë elemente për përgjegjësi penale transmeton Tetovasot.
Në një deklaratë për median maqedonase Lokalno, Kallajxhiev thekson se kontesti lidhet me të drejtën e Lotarisë Shtetërore për organizimin e lojërave elektronike të fatit dhe se mbetet e paqartë nëse institucioni ka pësuar ndonjë dëm real.
“Bëhet fjalë nëse Lotaria Shtetërore ka të drejtë të organizojë lojëra elektronike të fatit, prandaj nuk është aspak e qartë nëse ekziston ndonjë dëm për Lotarinë Shtetërore. Mendoj se nuk ka hapësirë për përgjegjësi penale”, deklaroi Kallajxhiev.
Ai shtoi se, sipas tij, rasti është “i montuar” dhe se çështja është më tepër kontestuese nga aspekti juridik sesa penale.
Duke komentuar pritjen festive të Artan Grubit pas daljes nga arresti shtëpiak, Kallajxhiev u shpreh kritik ndaj organizimit të ngjarjes.
“Cirku me festimin e lirimit të Grubit nga paraburgimi është një skenar i njohur i bllokut politik shqiptar dhe nuk kontribuon në ndërtimin e besimit”, u shpreh profesori.
Artan Grubi doli nga arresti shtëpiak pasi skadoi afati maksimal ligjor prej 60 ditësh për këtë masë, në përputhje me nenin 470 të Ligjit për Procedurën Penale të Maqedonisë së Veriut.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume