Këshilli Organizativ ka njoftuar shtyrjen e marshit protestues, i cili ishte planifikuar të mbahej të premten, më 9 tetor, në Gostivar, në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Në njoftimin e tij, Këshilli Organizativ ka falënderuar qytetarët, familjet e dëshmorëve, veteranët dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e treguar gjatë marshimeve të mëparshme.

Sipas Këshillit, vendimi për shtyrjen e marshit është marrë pas zhvillimeve të fundit. Megjithatë, theksohet se bëhet fjalë për një prolongim të përkohshëm dhe jo për përfundimin e angazhimit.

“Këshilli Organizativ do të analizojë me kujdes rrethanat dhe momentet e reja të krijuara, si dhe zhvillimet e mëtejshme, për të vlerësuar hapat dhe format e ardhshme të veprimit”, thuhet në njoftim.

Këshilli ka shprehur mirënjohje edhe për shoqatat e dala nga lufta, partitë politike, përfaqësuesit fetarë, studentët, profesorët, intelektualët, artistët, veprimtarët dhe organizatat e shoqërisë civile që iu bashkuan protestave.

Në fund, Këshilli Organizativ ka bërë të ditur se për çdo hap të ardhshëm opinioni publik do të njoftohet me kohë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume