Mexhiti: Tetori Rozë na bashkon në solidaritet, kujdesi për shëndetin e grave është përgjegjësi e përditshme
Komuna e Çairit organizoi në ambientet e Muzeut të Arteve Bashkëkohore në Shkup një mbrëmje të veçantë kushtuar Tetorit Rozë, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, duke bashkuar profesionistë të shëndetësisë, artistë dhe pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Në kuadër të kësaj nisme, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përcolli mesazhin për rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe solidaritetit me gratë që përballen me kancerin e gjirit. Aktiviteti ndërthuri artin dhe mjekësinë në funksion të promovimit të kujdesit për shëndetin e grave, kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.
“Tetori Rozë na kujton se kujdesi për shëndetin e grave është përgjegjësi që na bashkon të gjithëve. Përmes artit, mjekësisë dhe mesazheve të solidaritetit, kjo mbrëmje dëshmon rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes së ndërsjellë. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë, prandaj kontrollet e rregullta dhe informimi duhet të jenë pjesë e përditshmërisë sonë. Mbi të gjitha, duam t’u përcjellim një mesazh të gjitha grave që po përballen me këtë sëmundje: nuk janë vetëm. Si Komunë e Çairit, do të vazhdojmë të mbështesim iniciativa që promovojnë shëndetin, solidaritetin dhe kujdesin për çdo grua, jo vetëm gjatë Tetorit Rozë, por gjatë gjithë vitit”, deklaroi Mexhiti.
Mbrëmja u karakterizua nga një program që ndërthuri diskutimet profesionale të mjekëve specialistë me interpretimet artistike, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për reflektim, informim dhe sensibilizim të opinionit publik. Pjesëmarrja e profesionistëve dhe artistëve nga tri vendet i dha aktivitetit një dimension të veçantë bashkëpunimi dhe solidariteti.
Komuna e Çairit shpreh mirënjohje për mjekët, artistët dhe të gjithë pjesëmarrësit që me kontributin e tyre mbështetën këtë nismë, duke ritheksuar se ndërgjegjësimi, kujdesi dhe solidariteti me gratë duhet të jenë përgjegjësi e përbashkët gjatë gjithë vitit.




