Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror për Statistikë për rritjen e turizmit, deklaroi:
„Po, Enti Shtetëror për Statistikë publikoi të dhënat për muajin gusht dhe për tetë muajt e parë të vitit. Ajo që përbënte prioritetin tonë për vitin 2026 në fushën e turizmit, pothuajse e kemi arritur deri në fund të muajit gusht, përkatësisht të kemi një milion turistë dhe afër 3 milionë netëqëndrime.
Përfshirë muajin gusht, kemi afër 1 milion turistë, përkatësisht rreth nëntë qind e tetëdhjetë e ca mijë dhe përafërsisht 2 milionë e 720–730 mijë netëqëndrime. Kjo do të thotë se do ta arrijmë para afatit qëllimin që e kishim përcaktuar në fillim të vitit, të cilin ia kishim vënë vetes.
Por ajo që më gëzon edhe më shumë është bumi i madh që ndodhi gjatë muajve të verës, korrik-gusht dhe që vazhdoi edhe në muajt pasues. Për shembull, në muajin gusht, numri i turistëve të huaj, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, është rritur për 11.1%, ndërsa numri i netëqëndrimeve është rritur për më shumë se 20%, gjë që vërtet na ka befasuar këndshëm të gjithëve.
Kjo është edhe një konfirmim i përkushtimit të Qeverisë për promovimin e potencialeve turistike të vendit, me qëllim tërheqjen e turistëve. Në këtë drejtim është edhe marrëveshja që po nënshkruajmë me agjencitë turistike që sjellin turistë. Gjithashtu, nuk duhet harruar fakti se numri i udhëtarëve që mbërrijnë dhe i atyre që udhëtojnë jashtë vendit përmes aeroporteve tona është rritur për 30%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.“

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume