Mickoski drejtuar studentëve të vitit të parë: Jeta e vërtetë është lufta për familjen dhe atdheun, kudo që të shkoni, kthehuni në shtëpi
Folësit e mëparshëm ju thanë gjithçka që duhet të dini për Universitetin dhe për gjithçka që, gjatë viteve në vijim, do të përbëjë sfidë per ju. Unë do të përpiqem të dal nga ky formalitet dhe sot të mos flas si politikan dhe Kryetar i Qeverisë, por si kolegu dhe profesori juaj nga një universitet tjetër, i cili sot është i ftuar në universitetin tuaj dhe dëshiron të ndajë me ju dy mesazhe, për të cilat besoj se do të jenë të rëndësishme për ju në vitet që vijnë, gjatë procesit të studimit dhe të përvetësimit të dijes në Universitetin “Goce Dellçev”.
Më pas, dëshiroj t’u drejtoj një mesazh kolegëve të mi, profesorëve dhe pedagogëve tuaj, me të cilët gjatë viteve në vijim do të takoheni shpesh, do të krijoni marrëdhënie miqësore dhe do të përfitoni dije.
Do të përballeni me sfida, me ngritje dhe rënie, por jam i bindur se kjo pjesë e jetës suaj do të përfundojë me sukses, do ta kujtoni gjatë gjithë jetës dhe ajo do të jetë baza mbi të cilën më tej do të ndërtoni familjet tuaja, të cilat do të kontribuojnë në ndërtimin e atdheut tonë të përbashkët, Maqedonisë.
Para 30 vitesh edhe unë isha si ju, student i vitit të parë. Atëherë zhvillova orën time të parë universitare dhe nisa një episod të ri në jetën time, si student, pasi kisha përfunduar ditët mjaft emocionuese të shkollës së mesme. Ishte një kohë tjetër. Megjithatë, nëse kthehemi tri dekada pas, edhe ne, si të rinj, përballeshim me shumë sfida.
Por ajo që nuk e kishim atëherë dhe që ju e keni sot është komunikimi i shpejtë, rrjetet sociale, por edhe të gjitha sfidat që vijnë së bashku me mënyrën e shpejtë të komunikimit dhe me rrjetet sociale.
Jeta vazhdonte dhe ajo më çoi në mjedise të ndryshme. Një pjesë të mirë të jetës sime e kalova në Itali, një pjesë në Gjermani, ku përfundova pjesën eksperimentale të doktoraturës sime. Një pjesë të jetës sime e kalova edhe si profesor vizitues në Universitetin Teknik të Vjenës.
Por ajo që më ka frymëzuar gjithmonë dhe që ka qenë udhërrëfyesi im në jetë ka qenë vendi im i lindjes, atdheu im, Maqedonia. Kudo që kam shkuar, jam kthyer dhe gjithmonë e kam ditur se këtu do të krijoja familjen time dhe këtu do të vazhdoja jetën time.
Në të njëjtën mënyrë po i edukoj edhe dy djemtë e mi, Jovanin dhe Antonin. Të udhëtojnë, të fitojnë dije, të krijojnë miqësi, të shohin botën dhe, kudo që të kenë mundësi, të mos e refuzojnë asnjëherë atë mundësi. Por, në fund, të kthehen në shtëpi dhe së bashku, këtu, të punojmë dhe të luftojmë për atdheun tonë të përbashkët, Maqedoninë.
E di se do të përballeni me shumë sfida. E di se do të ketë edhe nga ata që do t’ju bindin se kjo është e pamundur, se diku larg prej këtu është më mirë dhe se atje gjithçka është ndryshe nga jeta këtu, në shtëpi.
Dua t’ju jap një këshillë që e kam mësuar gjatë jetës sime- kjo nuk është e vërtetë. Ajo që shumëkush përpiqet t’ju thotë dhe t’jua paraqesë përmes mediave sociale, në thelb, nuk është jeta e vërtetë.
Jeta e vërtetë është përballja dhe përpjekja që ju pret; është përpjekja për familjen tuaj dhe për vendin tuaj të lindjes, Maqedoninë.
Mos e harroni kurrë këtë.
Kudo që të shkoni, kthehuni në shtëpi dhe së bashku të punojmë e të përpiqemi për vendin tonë më të bukur në botë – Maqedoninë.
Mesazhi i dytë që dëshiroj t’ua përcjell sot është për kolegët e mi dhe profesorët tuaj.
Ju keni profesionin më të bukur në botë: t’ua përcillni dijen tuaj këtyre të rinjve të mrekullueshëm. Nga dija që do t’ua përcillni ju varen familjet e tyre në të ardhmen, fëmijët e tyre, nipërit dhe mbesat e tyre, si dhe gjithçka që do t’u sjellë jeta si sfidë në vitet që vijnë.
Shfrytëzojeni këtë mundësi. Bëhuni pjesë e rinisë së tyre, por gjithashtu bëhuni pjesë edhe e jetës së tyre në vitet që do të pasojnë.
Të kesh profesionin më të bukur në botë duhet të jetë një nder, por edhe një përgjegjësi, sepse rrallëkush në jetë ka një përgjegjësi dhe një mundësi të tillë.
Prandaj, këshilla dhe mesazhi im për kolegët e mi, profesorët tuaj, është: Bëhuni ata që duhet të jeni. Bëhuni pedagogët e tyre dhe shembulli i tyre, në mënyrë që edhe ata, në të ardhmen, të jenë shembull për fëmijët dhe familjet e tyre.
Dhe në fund, dua t’u rikthehem studentëve të rinj, kolegëve të mi më të dashur, të cilët sot po hedhin hapat e parë në një kapitull të ri të jetës së tyre.
Uroj që këto vite të jenë të suksesshme për ju, vite të miqësisë, përvetësimit të dijes dhe të mësimit.
Frymëzohuni nga bukuritë e atdheut tuaj, Maqedonisë. Punoni për veten, për familjet tuaja dhe për atdheun tuaj, sepse vend tjetër më të bukur në botë nuk kemi.
Ju falënderoj dhe ju uroj shumë sukses në fillimin e studimeve tuaja.