Kryeministri Hristijan Mickoski, në emisionin „Klik Plus“ në TV21, duke folur për standardin e qytetarëve dhe gjendjen ekonomike në vend, theksoi se në kushte krize, falë politikave të Qeverisë, inflacioni është më i ulët se mesatarja e BE-së, ndërsa pagat rriten gradualisht.

„Ajo që është e rëndësishme është se kemi gjendje stabile në vend sa i përket inflacionit. Diçka që paraqiste, do të thoja, sfidë prej muajsh e vitesh. Diçka për të cilën Qeveria e mëparshme na bindte se ishte inflacion i importuar nga BE-ja. Sot, nëse i shikoni treguesit, ja të marrim për shembull tremujorin e tretë të vitit 2026, do të arrini në përfundimin se në Maqedoni mesatarja e inflacionit është 25% më e ulët se ajo e BE-së, ose të jem më preciz, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, që përbëjnë tremujorin e tretë, kemi pasur një mesatare prej 2,5%, ndërsa në BE ishte 3,2-3,3%. Në shtator ne kishim 2,7%, ndërsa BE-ja kishte 3,8%. Jemi menjëherë pas Maltës“, theksoi Mickoski.

I pyetur se ku e mbështet optimizmin se paga minimale deri në fund të mandatit mund të arrijë në 1.000 euro, Mickoski theksoi se kjo do të realizohej shumë lehtë nëse ruhet i njëjti ritëm i rritjes si në 24 muajt e fundit.

„Kur e filluam mandatin, paga mesatare ishte rreth 40 mijë denarë, diku 650 euro dhe diskutuam që në ekonomi të ndërmarrim hapa për të gjetur mënyrën se si t’i afrohemi kufirit, limitit psikologjik prej 1.000 eurosh. Tani jemi diku te 800 euro, përafërsisht aty sillemi. Nga 650 arritëm në 800 euro për 24 muaj, të dhënat e fundit janë për muajin korrik, pra për 24 muaj, ndonëse në maj u rrit pak edhe mbi 800 euro, por kjo për arsye të tjera, si dividendët e të ngjashme. Megjithatë, deri në fund të vitit jam i bindur se do ta tejkalojmë kufirin prej 50 mijë denarësh. Nëse rritemi mesatarisht me 7-7,5%, kjo do të thotë se vitin 2027 mund ta përfundojmë shumë lehtë me pagë mesatare prej 53-54 mijë denarësh. Nëse bëjmë të njëjtën gjë edhe në vitin 2028, atëherë shumë lehtë do të arrijmë në 57-58 mijë denarë. Ndoshta nuk do të arrijmë në 60 mijë, por do t’i afrohemi shumë, e ndoshta edhe do t’i arrijmë, nuk dihet. Ndoshta pagat do të rriten më shpejt, duke pasur parasysh ambiciet dhe politikat që kemi“, theksoi Mickoski.

I pyetur se përse është problem që paga minimale të jetë 600 euro, Mickoski theksoi se për Qeverinë kjo nuk paraqet asnjë problem, pasi ajo vetëm mund të përfitojë nga kjo, por se për këtë duhet të merren vesh punëdhënësit dhe punëtorët.

Duke iu referuar shembullit të Malit të Zi, Mickoski theksoi se vendit nuk i nevojitet politikë e ekzibicionizmit, por politikë e stabilitetit që sjell rezultate konkrete.

„Për mua nuk është problem as paga minimale prej 1.000 eurosh, e jo 600 euro unë dua 1.000. Ja, në Mal të Zi, kryeministri atje doli në një konferencë për shtyp dhe tha se nga 1 janari i vitit 2027 paga minimale do të jetë 1.000, 1.250 euro dhe si ishte atje… i kategorizoi sipas nivelit të arsimit. Dhe u ngrit komuniteti i biznesit, duke pyetur: Si? Tregojeni formulën. Si do ta bëjmë këtë?“, theksoi Mickoski dhe shtoi:

„Neve nuk na nevojitet politikë e ekzibicionizmit, por na nevojitet politikë e stabilitetit dhe kjo politikë e stabilitetit janë këto rezultate. Për momentin, pavarësisht nëse dikujt i pëlqejnë apo jo, ato janë bindshëm më të mirat në rajon. Sipas krahasimeve, janë më të mirat edhe në Evropë. A i zgjidh kjo të gjitha problemet? Jo, nuk i zgjidh. Ka shumë probleme që do t’i zgjidhim në vijim. Por, a jetohet më mirë sot sesa para tre vitesh? Këtë e përsëris shpesh. Absolutisht, jetohet më mirë. A do të jetohet më mirë pas tre vitesh sesa sot? Ju garantoj se do të jetohet më mirë“.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume