Mickoski: Ne jemi i vetmi shtet që zbaton politika proaktive dhe masa në kohë, prandaj kemi inflacionin më të ulët dhe rritjen më të lartë të PBB-së
“Kur bëjmë krahasime, duhet të krahasojmë një qeveri me një tjetër. Thonë, po, është e vërtetë që çmimi i karburanteve në Maqedoni është më i ulëti në Evropë, por sa litra mund të blini me pagën mesatare në Gjermani dhe sa litra në Maqedoni? Po, është e vërtetë që në Gjermani mund të blini më shumë, por dilema e vërtetë është nëse para krizës mund të blinit më shumë litra në Gjermani sesa në Maqedoni, krahasuar me tani? Kjo është pyetja e vërtetë. Kur përballeni me një krizë, a e menaxhoni atë në mënyrë proaktive apo reaktive? Ne jemi i vetmi shtet që e menaxhon krizën në mënyrë proaktive. Rezultatet e kësaj qasjeje proaktive janë inflacioni më i ulët në rajon. Në muajin shtator, inflacioni ishte 2,7%. Në shtator të vitit 2022, kur gjithashtu kishim krizë dhe luftë në Ukrainë, inflacioni ishte 18,7%, ndërkohë që tani inflacioni mesatar në BE është 3,8%. Kjo do të thotë se inflacioni në Maqedoni është 30% më i ulët se mesatarja evropiane, ndërsa atëherë ishte 72% më i lartë se mesatarja evropiane. Por atëherë përpiqeshin të na bindnin se inflacioni ishte i importuar, ndërsa tani po e eksportojmë?!”, deklaroi kryeministri Mickoski në emisionin “Vetëm Intervistë”, i pyetur për treguesit ekonomikë të Maqedonisë në kushte krize.
“Tjetër gjë është ligji për gjendjen e krizës në sektorin e energjetikës dhe tjetër gjë janë politikat proaktive dhe masat e ndërmarra në kohë. Po, ai ligj është miratuar, por atëherë çmimi i karburanteve në periudha të caktuara të vitit arrinte në 120 denarë. Sot, ndoshta vetëm një herë e ka tejkaluar çmimin prej 100 denarësh. Tani nafta është 99 denarë, ndërsa benzina pa plumb 91 denarë, sepse ne jo vetëm që intervenuam te akcizat, por ulëm edhe TVSH-në. Në valën e parë të kësaj krize, ne e ulëm TVSH-në nga 18 në 10%, si për benzinën pa plumb, ashtu edhe për naftën, dhe tani, në valën e dytë të kësaj krize, e kemi ulur sërish”, shpjegoi Mickoski, duke komentuar faktorët që ndikojnë në çmimin e karburanteve.
Ai shtoi se jo të gjitha problemet janë zgjidhur dhe se në Maqedoni nuk jetohet më mirë sesa në Gjermani, por sot jetohet më mirë se para tre vjetësh.
“Ja, po ju jap edhe një shifër tjetër. Indeksi Gini, me të cilin matet barazia dhe pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave mes popullsisë. Zero do të thotë barazi e plotë, ndërsa 100 do të thotë pabarazi e plotë. Mesatarja evropiane është 29,2 dhe po aq është edhe në Maqedoni. Të gjitha vendet fqinje, pa përjashtim, qëndrojnë më keq se ne. Nëse i krahasojmë pagat, paga reale neto është gjithmonë pozitive. Çfarë është paga reale neto? Është rritja e pagës minus rritja e kostos së jetesës. Sot këto shifra janë të pamëshirshme. Tani kemi 17 mijë vende të reja pune. Filluam me 691 mijë të punësuar, ndërsa sot kemi 708 mijë të punësuar. Janë krijuar 17 mijë vende të reja pune. Këtë e thotë Enti Shtetëror i Statistikës.
Në periudhën nga 1 janari 2018 deri më 31 dhjetor 2023, borxhi publik është rritur për 3,7 miliardë dollarë, ndërsa në të njëjtën kohë PBB-ja është rritur për 3,9 miliardë dollarë. Kjo është 5% brenda pesë viteve. Kjo do të thotë se inflacioni e ka përpirë rritjen. Ju jeni në minus. Nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2026 edhe nëse supozojmë se borxhi publik do t’i tejkalojë 11 miliardë dollarë, siç thotë LSDM-ja, megjithëse nuk besoj se do të ndodhë, atëherë kjo do të thotë se borxhi publik është rritur për 1,4 miliardë dollarë, ndërsa PBB-ja për 4 miliardë dollarë. Kjo është 291%. Këto janë shifra dhe të dhëna”, theksoi Mickoski.