Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes së gazetarëve lidhur me ditën e fundit të fushatës zgjedhore në Bërvenicë dhe pritshmëritë për raundin e dytë, deklaroi:
„Po, sot, në fund të ditës, do të mbajmë fjalimin përmbyllës para banorëve të Bërvenicës. VMRO-DPMNE-ja hyn në çdo fushatë me synimin për të fituar, ashtu edhe në këtë fushatë në Bërvenicë, në raundin e dytë. Në raundin e parë morëm më së shumti vota, pothuajse 3.000, ndërsa tani presim ta rrisim edhe më shumë këtë numër. Synimi ynë është të marrim mbi 4.000 vota dhe vlerësojmë se me këtë do të fitojmë në Bërvenicë.
VMRO-DPMNE-ja, së bashku me koalicionin, gjithmonë hyn në zgjedhje për të fituar. Ndryshe nga partitë politike që u bashkuan rreth kundërkandidatit, ne iu drejtuam banorëve të Bërvenicës, ndërsa ata krijonin ndarje etnike, pa marrë parasysh se më 2 nëntor do të largohen, kurse njerëzit do të mbeten aty për të jetuar së bashku, maqedonasit, shqiptarët dhe të tjerët, të krishterët dhe myslimanët. Fatkeqësisht, zhvilluan një fushatë të tillë, do të thoja, që nuk i ka hije shekullit 21, por ç’të bësh. Ata vlerësojnë se, me sa duket, në këtë mënyrë do të fitojnë një kryetar komune më shumë në Bërvenicë.Mesazhi im për banorët e Bërvenicës dhe për opinionin maqedonas është se, kur vendosin se kujt do t’ia japin votën, duhet të mendojnë nëse do t’ua japin atyre që patën mundësinë të bënin diçka në të kaluarën për më shumë se dy dekada, por nuk bënë asgjë, përkatësisht lanë zero pas vetes, apo këtyre që tani po bëjnë gjithçka që, për fat të keq, nuk ishte bërë në të kaluarën. Këtu nuk ka ndarje etnike dhe, për këtë arsye, do të doja t’u përcillja edhe një herë një mesazh banorëve të Bërvenicës dhe banorëve të Maqedonisë: nëse duam të ecim përpara, duhet të flasim për një projekt më shumë dhe për vlerë të shtuar në cilësinë e jetës së qytetarëve, e jo të kthehemi te politikat e shekullit të kaluar. Ato janë gomë shpëtimi për politikanët që i përkasin shekullit të kaluar dhe ata kështu e shohin këtë fushatë në Bërvenicë. Por, në fund të ditës, të dielën do ta shohim se cili do të jetë rezultati.
Pres që dita të kalojë e qetë, pa incidente më të mëdha dhe në këtë mënyrë të tregojmë se jemi një demokraci e pjekur, gjë që në fakt po e dëshmojmë, pasi paqja te ne nuk është vënë në pikëpyetje, ndërsa në rajon, në vendet fqinje, por edhe gjithandej Evropës, shihni se kemi një gjendje mjaft të tensionuar në qytete të caktuara.“