Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, tha se vendi i tij do ta vazhdojë angazhimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor edhe në rast se KFOR-i e zvogëlon praninë dhe operacionet në Kosovë.

Siç raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA, Crosetto i bëri këto komente në Prishtinë, në margjinat e ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit të KFOR-it.

Ai theksoi se Ballkani është pjesë e rëndësishme e sigurisë së Italisë dhe përmendi mundësinë e vendosjes së radarëve në rajon në të ardhmen, me qëllim mbrojtjen e vendeve të rajonit dhe të vetë Italisë nga kërcënimet e mundshme.

“Kur merrni parasysh se raketat që goditën aeroportet e Arabisë Saudite u ndërtuan nga Huthitë – dhe jo nga inxhinierë të specializuar – dhe arritën shpejtësi prej 8.500 kilometrash në orë, e kuptoni natyrën e kërcënimeve me të cilat do të përballen të gjitha kombet në të ardhmen.

Kjo thekson rëndësinë e ruajtjes së një pranie në vendet fqinje mike, me qëllim krijimin e një mburoje të përbashkët mbrojtëse, të aftë për t’iu kundërvënë kërcënimeve të tilla,” shtoi Crosetto.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume