Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur pasi fragmente të mëdha shkëmbinjsh u shkëputën dhe ranë mbi njerëzit në rajonin turistik të Kapadokisë, në Turqi.
Sipas informacioneve nga autoritetet lokale, ngjarja ndodhi pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë zonën. Shkëputja e shkëmbinjve u regjistrua rreth orës 15:15, sipas kohës lokale.
Pjesë të një formacioni shkëmbor, të njohur si “oxhaqet e zanave”, ranë mbi persona që ndodheshin pranë një muzeu në ambient të hapur, në qytetin Göreme.
Pas alarmit, në vendin e ngjarjes mbërritën ekipet e emergjencës dhe të shpëtimit, të cilat konstatuan vdekjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri. Autoritetet bëjnë të ditur se operacionet në zonë vijojnë, ndërsa deri më tani nuk është publikuar informacion për kombësinë e viktimave.
Kapadokia është një nga destinacionet më të vizituara turistike në Turqi, e njohur ndërkombëtarisht për peizazhet e saj të veçanta dhe formacionet shkëmbore me origjinë vullkanike.