Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përuroi të premten një segment të ri të hekurudhës me shpejtësi të lartë që lidh Stambollin me kufirin bullgar, e më pas drejtoi personalisht trenin gjatë udhëtimit të parë në këtë linjë.

Në kabinën e drejtimit ishte edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Gjatë udhëtimit, Kos e pyeti presidentin turk nëse dinte të drejtonte edhe helikopterin.

“Po”, u përgjigj Erdogan, duke shkaktuar të qeshura te të pranishmit.

Hekurudha e re është pjesë e projektit Halkalı–Kapıkule, që synon të përmirësojë lidhjet hekurudhore mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

Segmenti i hapur është 153 kilometra i gjatë dhe lidh Çerkezköyn me Kapıkulen, në kufirin me Bullgarinë. Linja është projektuar për shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.

Në ceremoninë e inaugurimit, Erdogan deklaroi se përfundimi i projektit do ta shkurtojë udhëtimin me tren mes Halkalıt dhe Kapıkules nga rreth katër orë në një orë e gjysmë.

Ai theksoi se hekurudha do të ndihmojë në lidhjen e qendrave industriale turke me tregjet evropiane, si dhe do të kontribuojë në rritjen e tregtisë, eksporteve dhe turizmit.

Ndërtimi i projektit ka nisur në vitin 2019 dhe financohet bashkërisht nga Turqia dhe Bashkimi Evropian.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume