MPB renditet ndër ministritë më transparente në Maqedoninë e Veriut, shënon rritje në Indeksin e Hapjes 2026
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka shënuar përmirësim në hulumtimin më të ri të Fondacionit “Metamorfozis”, të titulluar “Vlerësimi i qeverisjes së mirë të pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut dhe rajon përmes Indeksit të Hapjes 2026”, i realizuar mbi matjet për vitin 2025 informon Tetovasot.
Sipas rezultateve të publikuara, MPB ka arritur 75,90% përmbushje të indikatorëve të hapjes, duke shënuar rritje krahasuar me matjen paraprake, kur rezultati ishte 73,3%.
Veçanërisht dallohen rezultatet në disa fusha kyçe:
100% përmbushje e indikatorëve për integritet, që përfshijnë mekanizmat për sjellje etike, parandalimin e konfliktit të interesit dhe përgjegjësinë institucionale.
100% përmbushje e indikatorëve për efikasitet, që lidhen me planifikimin strategjik, raportimin dhe monitorimin e punës së institucionit.
75,90% hapje e përgjithshme, rezultat që e rendit MPB-në në vendin e dytë mes ministrive të përfshira në hulumtim.
Në kategorinë e transparencës, Ministria ka arritur 72,46% përmbushje të indikatorëve, duke u renditur ndër institucionet me rezultatet më të mira edhe në këtë segment.
Nga MPB theksojnë se këto rezultate janë tregues i zbatimit të standardeve për hapje, llogaridhënie dhe qeverisje të mirë, por njëkohësisht edhe nxitje për të përmirësuar më tej qasjen në informata dhe komunikimin me qytetarët.
Sipas Ministrisë, rezultatet konfirmojnë përkushtimin e udhëheqësisë për ndërtimin e një institucioni më të hapur, më transparent dhe më të përgjegjshëm.
“Nuk mjafton vetëm lufta kundër krimit dhe korrupsionit përmes veprimit të policisë. Po aq e rëndësishme është që vetë Ministria të punojë me përgjegjësi, ndershmëri dhe transparencë. Ne do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim për të ndërtuar një institucion ku qytetarët do të kenë besim dhe ku ligji e përgjegjësia do të vlejnë njësoj për të gjithë”, thuhet në reagimin e MPB-së.
Në fund theksohet se hapja dhe transparenca janë obligim i përditshëm i institucioneve ndaj qytetarëve.