Përdoruesit nga Maqedonia kanë shpenzuar rreth 1,4 milionë euro në platformën OnlyFans gjatë vitit financiar 2025, tregojnë vlerësimet e shërbimit analitik JuicySearch, të publikuara nga “Bloomberg Adria”.

Të dhënat përfshijnë periudhën nga dhjetori 2024 deri në nëntor 2025. Maqedonia renditet e pesta mes gjashtë vendeve të rajonit të analizuara, me shpenzime prej rreth 1,6 milionë dollarësh për abonime dhe përmbajtje me pagesë.

Në krye të listës është Kroacia me 10 milionë euro, e ndjekur nga Sllovenia me 8,9 milionë dhe Serbia me 7,7 milionë euro. Bosnjë-Hercegovina renditet e katërta me 2,3 milionë euro, ndërsa Mali i Zi i fundit me rreth 600 mijë euro.

Në gjashtë vendet e rajonit, shpenzimet e përgjithshme në OnlyFans vlerësohen në rreth 30,9 milionë euro.
Bosnjë-Hercegovina shënoi rritjen më të dukshme, me 23,9 për qind krahasuar me vitin paraprak.