Pas shkatërrimit të një grupi ndërkombëtar të krimit të organizuar që merrej me importin e cigareve, Dogana ka shtuar kontrollet edhe në tregjet e gjelbra, me një qasje gjithëpërfshirëse në luftën e ashpër kundër tregtisë së paligjshme të duhanit.
Zyrtarët doganorë nga njësia Doganore e Shkupit dhe ekipet mobile të Departamentit për Punë Operative kryen kontrolle në tezgat e tregut të gjelbër në Çair, me ç’rast u sekuestruan 135 kilogramë duhan të prerë dhe 30 litra alkool, për të cilat ishte shmangur pagesa e akcizës në vlerë prej 337.558 denarësh.
Gjatë kontrollit të produkteve të akcizës në tezgat e tregut të gjelbër në Çair, u kapën tre persona duke shitur produkte akcize pa pulla akcize. Ata i kishin nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme produktet me akcizë në shitje, pa e paguar paraprakisht akcizën ndaj shtetit.
Kundër dy personave janë paraqitur kallëzime për kundërvajtje, ndërsa kundër një personi, i cili shiste produkte akcize për të cilat ishte shmangur pagesa e akcizës në vlerë prej 257 mijë denarësh, do të paraqitet kallëzim penal në përputhje me Kodin Penal.
Me një qasje gjithëpërfshirëse, përmes hetimeve të shtuara për importin e duhanit dhe produkteve të duhanit, si dhe kontrolleve në tregun e brendshëm, ne dëshmojmë qartë përkushtimin tonë për të luftuar tregtinë e paligjshme të duhanit dhe produkteve të tij.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume