Izraelitët iu drejtuan kutive të votimit në shifra rekord, në një garë zgjedhore tejet të ngushtë që vë përballë kryeministrin me shërbim të gjatë, Benjamin Netanyahu, dhe një koalicion të gjerë rivalësh, të vendosur për ta rrëzuar nga pushteti koalicionin e tij të krahut të djathtë.

Deri në orën 18:00 sipas kohës lokale, katër orë para mbylljes së planifikuar të vendvotimeve, 66,7 për qind e votuesve kishin votuar. Kjo shifër ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në këtë orar të ditës, që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Izraelit filloi të monitoronte pjesëmarrjen në votime me intervale dyorëshe në vitin 1973.

Netanyahu ka kërkuar zgjatjen e orarit të votimeve, por Opozita e quajti kërkesën si “përgatitje për të vënë në dyshim integritetin e zgjedhjeve”.

Partia kryesore opozitare që kryeson në sondazhe, Yashar, ka deklaruar se “kundërshton fuqimisht” çdo zgjatje të orarit të votimit. Vendvotimet mbeten të hapura edhe për rreth 3 orë e gjysmë, deri në orën 22:00 me orën lokale.

Partia e Gadi Eisenkot-it e cilësoi këtë si një përpjekje për të “përgatitur terrenin për pretendime që vënë në dyshim integritetin e zgjedhjeve”.

Çfarë tregojnë sondazhet?

Shumica e sondazheve tregojnë se “Likud” e Netanyahut dhe partnerët e tij aktualë të koalicionit po humbasin shumicën e tyre. Kjo rënie në mbështetjen e votuesve ka qenë mjaft e qëndrueshme për më shumë se dy vjet.

Ato gjithashtu tregojnë një shumicë të qartë anti-Netanyahu.

Megjithatë, këto vende të opozitës janë të ndara midis bllokut të partive hebraike izraelite, të udhëhequra nga Yashar i Eisenkotit, dhe partive që përfaqësojnë qytetarët palestinezë të Izraelit.

Partitë hebraike izraelite nuk ka gjasa të kenë shumicën më vete, por kryesisht kanë përjashtuar mundësinë e bashkimit me palestinezët.

Politikanët palestinezë kanë lënë të kuptohet se mund të mbështesin një qeveri minoritare të partive hebraike izraelite në mënyrë që të rrëzojnë koalicionin e ekstremit të djathtë të Netanyahut.