Presidenti Erdogan: Bota turkike do të përpiqet ta shndërrojë periudhën e ardhshme në “Shekullin Turk”
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të enjten se bota turkike do të përpiqet që periudhën e ardhshme ta shndërrojë në “Shekullin Turk” përmes solidaritetit, respektit të ndërsjellë dhe vëllazërisë, raporton Anadolu.
“Besoj sinqerisht se ne, si botë turkike, do të përpiqemi që periudhën e ardhshme ta shndërrojmë në Shekullin Turk përmes solidaritetit të plotë, respektit të ndërsjellë dhe vëllazërisë”, tha Erdogan në një pritje me darkë për liderët e Organizatës së Shteteve Turkike (OTS) në Ankara.
Solemniteti u organizua ndërsa Ankaraja pret të enjten dhe të premten samitin e 13-të të OTS-së, me temën “Shekulli Turk: Uniteti në gjuhë, mendim dhe veprim”. Pritet që në samit të trajtohet bashkëpunimi rajonal, të forcohet solidariteti ndërmjet shteteve anëtare dhe të avancohet Vizioni 2040 për Botën Turkike.
E themeluar në vitin 2009, OTS-ja përfshin Turqinë, Azerbajxhanin, Kazakistanin, Uzbekistanin dhe Kirgistanin si anëtare, ndërsa Turkmenistani, Hungaria, Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) dhe Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik kanë statusin e vëzhguesit.
– Dita e Republikës
Erdogan shënoi gjithashtu Ditën e Republikës së Turqisë, duke thënë se është i emocionuar që këtë feestë po e kremton së bashku me atë që e quajti “këshilli familjar” i organizatës.
“Republika e Turqisë, arritja e përbashkët dhe streha e përbashkët e 86 milionë njerëzve, vazhdon të kalojë nga një sukses në tjetrin, me arritjet e saj të mëdha në çdo fushë”, tha ai.
Ai tha se Turqia është e vendosur të kapërcejë pengesat e krijuara nga ata që synojnë t’i pengojnë objektivat e saj, duke bërë një paralele me themelimin e republikës 103 vjet më parë.
“Ashtu si vullneti themelues i republikës sonë i gjunjëzoi shtatë fuqi 103 vjet më parë dhe e çliroi këtë atdhe nga pushtimi, ne jemi po aq të vendosur t’i mënjanojmë ata që përpiqen të na pengojnë të arrijmë objektivat tona”, tha Erdogan.
“Si komb, ne zotohemi edhe një herë të punojmë me të gjitha forcat për ta ngritur Republikën e Turqisë, të cilën e themeluam në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe me kosto të mëdha, mbi nivelin e qytetërimeve bashkëkohore”, shtoi ai.
Erdogan e përfundoi fjalimin duke uruar Ditën e Republikës dhe duke shprehur shpresën për “unitet dhe solidaritet” të qëndrueshëm ndërmjet shteteve turkike.