Mbi 8 orë në rrugë, përballje me policinë dhe dhjetëra të shoqëruar. Studentët që dolën sot në protestë në Tiranë nuk u tërhoqën, ndërsa në fund të ditës njoftuan se revolta do të vijojë edhe nesër.

Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë ngritën zërin për shqetësimet që prekin të ardhmen e tyre: kostot e studimeve, kushtet në universitete, mbështetjen financiare dhe mungesën e perspektivës. Pakënaqësia u shtri përtej arsimit, duke u kthyer në një protestë kundër qeverisë dhe një sistemi politik ndaj të cilit të rinjtë kanë humbur besimin.

Me kalimin e orëve, situata u përshkallëzua. Protestuesit hodhën sende drejt Ministrisë së Arsimit, dëmtuan rrethimin dhe thyen xhama. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, ndërsa në rrugë pati përplasje të forta fizike.

Protesta vijoi drejt Bashkisë së Tiranës dhe Pazarit të Ri. Në godinën e Bashkisë u raportuan dëmtime dhe zjarr, ndërsa në disa akse u dogjën kosha mbeturinash. Sipas raportimeve mediatike, mbi 40 persona u shoqëruan në komisariate, mes tyre edhe katër të mitur, ndërsa pati edhe protestues të lënduar.

Por as gazi lotsjellës dhe as shoqërimet në polici nuk e kanë shuar revoltën. Pas përplasjeve qëndrojnë shqetësime që nuk mund të injorohen: të rinjtë kërkojnë kushte më të mira, më shumë mbështetje dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre. Zëri i tyre meriton të dëgjohet dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje konkrete.

Studentët kanë thirrur një tjetër protestë nesër, më 14 tetor, në orën 14:00, sërish para Ministrisë së Arsimit.

Revolta vazhdon! Nesër, në orën 14:00, studentët rikthehen në protestë para Ministrisë së Arsimit. Po ju, a do t’i bashkoheni protestës?

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume