Sot, në orën 08:22, përmes Numrit të Vetëm për Thirrje Emergjente 112, në Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK) është pranuar një njoftim për dy shtetas të huaj, të cilët gjatë ngjitjes drejt majës së Piribegut janë përballur me mot të ligë. Ata janë strehuar në një objekt malor, pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pas verifikimit të mundësive të qasjes në lokacion, është konstatuar se nga ana e Maqedonisë së Veriut mund të arrihet vetëm në këmbë dhe, për shkak të kushteve atmosferike, nevojiten më shumë se gjashtë orë për të arritur deri te objekti, vetëm në një drejtim. Qasja me helikopter nga ana jonë nuk ishte e mundur për shkak të shiut dhe mjegullës. Ndërkaq, nga ana e Kosovës ekziston një rrugë e qasshme nga qendra e skijimit në Brezovicë deri te objekti ku ishin strehuar personat.

Menjëherë pas pranimit të njoftimit, Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza (QRMK) – Tetovë i njoftoi shërbimet kompetente, përfshirë Stacionin Policor në Tearcë, Qendrën e Urgjencës (QU) në Tetovë dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim – Njësinë Rajonale në Tetovë, si dhe udhëheqësin e QRMK-së – Tetovë. Njëkohësisht, Qendra Operative e Kujdestarisë pranë QMK-së njoftoi udhëheqësin e sektorit, zëvendësudhëheqësin e Qendrës Operative të Kujdestarisë dhe Kabinetin e drejtorit.

Në përputhje me udhëzimet e drejtorit të QMK-së, udhëheqësi i QRMK-së – Tetovë kontaktoi me NP „Pyjet Kombëtare“ – dega Tetovë, nga ku u paralajmërua se do të njoftoheshin kolegët e tyre në Kosovë për ndërmarrjen e aktiviteteve për evakuimin e sigurt të personave. Duke pasur parasysh qasjen më të lehtë të terrenit nga ana e Kosovës, si zgjidhja më e përshtatshme u vlerësua që personat të nxirreshin me automjet përmes rrugës nga ana e Kosovës.

Gjatë koordinimit u vendos kontakt edhe me Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

Në orën 11:45, Qendra Operative e Kujdestarisë pranë QMK-së vendosi komunikim të drejtpërdrejtë me njërin nga personat, përmes një bisede telefonike dhe mesazhi SMS, duke e informuar se një ekip nga Kosova do të mbërrinte për evakuimin e tyre të sigurt.

Sipas informacionit të marrë në orën 14:21 nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, ekipet e tyre ishin në komunikim të vazhdueshëm me personat. U konfirmua se të dy shtetasit e huaj ishin në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa evakuimi i tyre pritej të realizohej rreth orës 16:00.

Në orën 16:50, Qendra për Menaxhim me Kriza mori informacionin se të dy shtetasit e huaj ishin gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe po transportoheshin drejt një lokacioni në Shtërpcë, Republika e Kosovës.

Qendra për Menaxhim me Kriza, gjatë gjithë aksionit, koordinoi komunikimin ndërmjet shërbimeve kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, me qëllim të sigurimit të evakuimit të sigurt të personave.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume