“Rusët po përgatisin atentate në Europë”, Financial Times ngre alarmin: Rrjet agjentësh “për vrasje me porosi”
Kompanitë europiane të industrisë së mbrojtjes po forcojnë masat e sigurisë për drejtuesit e tyre të lartë, pas paralajmërimeve të shërbimeve të inteligjencës se Rusia është duke shënjestruar individët që drejtojnë firma të përfshira në mbështetjen ushtarake të Ukrainës.
Kërcënimi nuk prek vetëm prodhuesit e mëdhenj të armatimeve, por edhe ndërmarrjet më të vogla që prodhojnë dronë dhe përbërës të ndryshëm, duke rritur kostot e sigurisë në të gjithë sektorin.
Sipas Financial Times, zyrtarë nga pesë agjenci europiane të inteligjencës e kanë pohuar se operativët e Kremlinit po përqendrohen gjithnjë e më shumë te drejtorët ekzekutivë dhe drejtuesit e tjerë të kompanive të mbrojtjes.
Këto veprime konsiderohen pjesë e zgjerimit të fushatës ruse të sabotimit dhe operacioneve të tjera hibride në kontinentin e vjetër. Ligjvënësit gjermanë në vecanti janë paralajmëruar se Rusia po planifikon qëllimisht akte dhune ndaj individëve, duke përdorur aktorë shtetërorë ose grupe të kontrolluara prej saj.
Metodat, objektivat dhe personat e përfshirë në këto operacione thuhet të jenë në ndryshim të vazhdueshëm, ndërsa përdorimi i rrjeteve të krimit të organizuar po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë.
Sipas shërbimeve sekrete, një pjesë e konsiderueshme e këtyre planeve lidhet me atë që në mesin e agjentëve rusë njihet si “wet work”, një term ky i përdorur që përdoret për operacione të dhunshme, përfshirë vrasjet me porosi.