Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, deklaroi se Aleanca do të vazhdojë të ndjekë situatën e sigurisë në Detin e Zi dhe të përshtatë masat e saj mbrojtëse sipas nevojës, pas sulmeve ndaj anijeve tregtare afër bregut bullgar.

“Bisedova me kryeministrin bullgar Rumen Radev për sulmet e fundit ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi. NATO do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me aleatët e saj në rajon. Ne tashmë e kemi forcuar praninë tonë në krahun lindor dhe do të vazhdojmë të ndjekim situatën e sigurisë, duke përshtatur masat tona të pengimit dhe mbrojtjes sipas nevojës”, shkroi Rute në rrjetin social X.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu dënoi sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare afër bregut bullgar dhe deklaroi se përgjegjësit duhet të përballen me pasojat.

“Deti i Zi është bërë edhe një front tjetër i eskalimit në luftën ruse kundër Ukrainës. Kjo është e papranueshme”, shkroi von der Leyen në X.

“Dënoj ashpër sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare afër bregut bullgar. Ato rrezikojnë seriozisht jetët e ekuipazheve dhe kërcënojnë sigurinë në Detin e Zi”, theksoi ajo.

Presidentja e KE-së deklaroi se Bashkimi Evropian qëndron prapa Bullgarisë dhe u falënderua ekipeve të shpëtimit për reagimin e tyre të shpejtë.

Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiga, akuzoi Rusinë për shpërfillje të qëllimshme të jetëve njerëzore dhe të sigurisë detare në Detin e Zi pas sulmeve në të cilat u lënduan qytetarë ukrainas dhe azerbajxhanas.

“I bëjmë thirrje partnerëve tanë që të rrisin presionin ndaj Rusisë, të forcojnë sanksionet dhe të ndërmarrin hapa të vendosur që ajo të përgjigjet dhe për të mbrojtur lirinë e lundrimit”, shkroi Sibiga në X.

Ai deklaroi se Deti i Zi është i një rëndësie jetike për sigurinë globale të ushqimit, por, siç tha, Rusia po përpiqet ta përdorë urinë si armë dhe ta mbajë botën në një pozitë të varur.

“Kësaj duhet t’i përgjigjemi me vendosmëri”, theksoi ministri ukrainas i Punëve të Jashtme.

Dy anije tregtare u goditën në incidente të ndara në Detin e Zi gjatë natës. Origjina e dronëve dhe rrethanat rreth të dy incidenteve ende nuk janë përcaktuar përfundimisht.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume