Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave po punon për përfshirjen sistematike të njohurive shkencore në hartimin e politikave dhe masave për mbështetjen e fermave bujqësore, deklaroi ministri Borçe Serafimovski në hapjen e manifestimit “AGRO EXPO e Projekteve të BE-së 2026” në Space Park Shkup.

“Fokusin e drejtojmë drejt përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, shfrytëzimit më efikas të burimeve ujore dhe ruajtjes së cilësisë së prodhimit”, theksoi Serafimovski.

Ai njoftoi se ndodhet në fazën përfundimtare përzgjedhja e kompanisë realizuese të projektit “Projektimi, zhvillimi dhe implementimi i Platformës së Integruar Informative Bujqësore (IAIP), duke përfshirë edhe Sistemin Informativ për Menaxhimin e Tokës në Pronësi Shtetërore (SALMIS)”, me vlerë mbi dy milionë euro. Projekti është pjesë e Programit për Modernizimin e Bujqësisë, i financuar nga Banka Botërore.

“Rezultatet e këtij modernizimi do t’i masim përmes përfitimeve konkrete për bujqit, si funksionim më efikas, cilësi më e mirë dhe qëndrueshmëri më e madhe ekonomike. Njëkohësisht, kjo do të krijojë mundësi profesionale për të rinjtë në fushën e agronomisë”, theksoi ministri Serafimovski.

“AGRO EXPO e Projekteve të BE-së 2026” po mbahet më 30 dhe 31 tetor në Space Park Shkup. Programi përfshin prezantimin e 15 projekteve evropiane, mekanizim dhe pajisje bujqësore, ekspozitë të produkteve ushqimore, si dhe demonstrime praktike.

Ngjarja organizohet në kuadër të projektit CAAIVE, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+, ndërsa organizatorë janë Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” përmes Fakultetit të Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit, EMKICE KIC, Nova Kreativa dhe Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planor Juglindor.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume