Vëmendja është përqendruar sërish te Ministria e Arsimit, aty ku protestuesit kanë paralajmëruar grumbullimin e tyre, ndërsa pritet që në këtë mobilizim t’u bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora.

Protesta e sotme vjen pas katër ditësh të shoqëruara me tensione, përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve në kryeqytet.

Në terren janë pozicionuar forcat e policisë, ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit janë vendosur edhe autobotet, në kuadër të masave të marra për menaxhimin e situatës.

Ndërkohë, godina e Ministrisë së Arsimit vijon të jetë e dëmtuar nga incidentet e ditëve të mëparshme.

Protestat nisën të martën, fillimisht me bojkotimin e mësimit nga nxënës dhe studentë, por më pas u përshkallëzuan, duke u shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.

Protestuesit shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në qendër të revoltës janë edhe akuzat për korrupsion dhe kërkesat për ndryshime në arsim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume