Toshkovski: Është goditur një grup i fuqishëm kriminal që vepronte prej më shumë se 15 vitesh në Maqedoni dhe vendet e BE-së
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se policia ka goditur një grup të organizuar kriminal që, sipas autoriteteve, kishte vepruar për më shumë se 15 vjet në Maqedoninë e Veriut dhe në disa shtete të Bashkimit Evropian.
Siç mëson Tetovasot, aksioni është zhvilluar pas një hetimi që ka zgjatur më shumë se një vit, në koordinim mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, Prokurorisë Publike dhe shërbimeve partnere ndërkombëtare.
Sipas Toshkovskit, gjatë operacionit janë kryer rreth 30 kontrolle, ndërsa rreth 21 persona do të përfshihen në kallëzimin e parë penal. Hetimet vazhdojnë me procedurë urgjente dhe nën urdhrat e prokurorit publik.
Ministri tha se ekzistojnë dyshime të bazuara se pjesëtarë të grupit kanë kryer vepra të rënda penale edhe në Greqi, veçanërisht në rajonin e Halkidikit dhe Kalitheas, ku dyshohen për vjedhje të rënda dhe delikte kundër pasurisë. Sipas hetimeve, pjesë të grupit kanë vepruar edhe në Spanjë, ndërsa një person që kishte ikur nga arresti shtëpiak në këtë shtet është lokalizuar dhe arrestuar nga policia maqedonase.
Siç raporton Tetovasot, hetimet kanë ngritur dyshime edhe për përfshirjen e disa zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se u kanë dhënë informacione anëtarëve të grupit kriminal. Për këtë arsye janë kryer edhe kontrolle në banesat e disa efektivëve policorë.
Sipas ministrit, një anëtar i familjes së ngushtë të njërit prej të dyshuarve ishte arrestuar disa muaj më parë në Francë, pasi në një bunker të fshehur në automjetin e tij u zbuluan 10 kilogramë kokainë, e cila dyshohet se ishte destinuar për tregun në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë bastisjeve të fundit janë sekuestruar mbi 120 deri në 130 mijë euro para të gatshme, si dhe rreth dhjetë automjete luksoze, mes tyre dy Maserati dhe dy Land Rover. Për një nga automjetet ekzistojnë dyshime se është pajisur me dokumentacion të falsifikuar.
Toshkovski theksoi se objektivi i hetimit nuk është vetëm ndjekja penale e autorëve, por edhe identifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së krijuar nga aktivitetet kriminale. Ai shtoi se ekzistojnë dyshime edhe për pastrim parash dhe investim të fitimeve të paligjshme brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe transaksione me prona në Serbi.
Ministri dërgoi mesazhin se lufta kundër krimit të organizuar do të vazhdojë pa kompromis dhe se çdo pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme do të konfiskohet në favor të shtetit.