Policia Federale gjermane i ndaloi gjatë një kontrolli kufitar në autostradën A96, pasi konstatoi se asnjëri prej tyre nuk i plotësonte kushtet e nevojshme për të hyrë në vend.
Tre shtetas të Kosovës janë ndaluar nga Policia Federale gjermane gjatë një kontrolli kufitar, pasi u konstatua se nuk i plotësonin kushtet për hyrje në Gjermani.
Kontrolli u zhvillua më 7 tetor në pikën kufitare Hörbranz, në autostradën A96, ku tre kosovarët po udhëtonin me autobus nga Roma drejt Frankfurtit. Sipas policisë, ata udhëtonin të pavarur nga njëri-tjetri dhe pas verifikimeve, të treve iu refuzua hyrja në Gjermani.
Dy prej tyre kishin probleme me dokumentet e qëndrimit. Njëri, 37 vjeç, posedonte një leje qëndrimi italiane që kishte skaduar në janar të vitit 2026, ndërsa një 30-vjeçar paraqiti një leje qëndrimi gjermane, e cila kishte skaduar në prill të vitit 2025.
Rasti i tretë tërhoqi vëmendjen gjatë kontrollit të mjeteve të udhëtimit. Kosovari 37-vjeçar deklaroi se synonte të qëndronte vetëm dy ditë në Gjermani, por policia konstatoi se ai kishte vetëm pesë euro para të gatshme dhe në valixhe mbante rroba pune.
Sipas Policisë Federale, ndaj të tre shtetasve të Kosovës janë iniciuar procedura penale, ndërsa autoritetet kanë vendosur t’ua refuzojnë hyrjen në territorin gjerman.
Gjithsej 12 persona u kthyen mbrapsht në kufi
Gjatë kontrolleve të zhvilluara po atë ditë, policia gjermane identifikoi gjithsej 12 shtetas të huaj që nuk i plotësonin kushtet e hyrjes në vend.
Në mesin e tyre ishte edhe një familje afgane me pesë anëtarë. Edhe në këto raste, autoritetet vendosën refuzimin e hyrjes, ndërsa për njërin nga personat ishte planifikuar kthimi me avion në vendin e origjinës./Albinfo.