Presidenti amerikane Donald Trump pretendon se në Groenlandë po përgatitet eksplorim masiv për naftë, gaz dhe minerale, por qeveria e territorit arktik e kundërshton. Autoritetet groenlandeze thonë se aktivitetet amerikane janë të kufizuara dhe se nxjerrja e burimeve është shumë larg një operacioni masiv.
Pretendimi i Donald Trump për nisjen e një eksplorimi masiv të naftës, gazit dhe mineraleve në Groenlandë përplaset me qëndrimin e autoriteteve të territorit arktik.
Presidenti amerikan deklaroi se “eksplorimi masiv” i burimeve natyrore në Groenlandë po përgatitet të nisë, duke vënë theksin te potenciali i madh i ishullit për naftë dhe minerale.
Por qeveria e Groenlandës i ka kundërshtuar këto deklarata. Zëvendësministri i Minierave, Jørgen Hammeken-Holm, pranoi se kompani amerikane kanë aktivitete eksploruese në territor, por theksoi se Groenlanda është “shumë larg” një eksplorimi masiv.
Sipas tij, aktualisht bëhet fjalë për disa projekte më të vogla, të cilat mund të kërkojnë vite përpara se të bëhen funksionale.
Edhe Danimarka ka reaguar, duke kujtuar se çdo aktivitet për shfrytëzimin e burimeve natyrore duhet të zhvillohet në përputhje me ligjet e Groenlandës.
Kopenhaga thekson gjithashtu se marrëveshja e fundit mes Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe Groenlandës nuk u jep kompanive amerikane trajtim preferencial për aksesin në burimet natyrore.