Barcelona do ta zhvillojë ndeshjen e së martës kundër Paris Saint-Germainit në “Parc des Princes”, në kuadër të Ligës së Kampionëve, duke e veshur fanellën portokalli të sezonit të kaluar.

Ky ndryshim erdhi pas një kërkese nga UEFA dhe transmetuesi që zotëron të drejtat televizive, të cilët kërkuan që Barcelona të mos përdorte asnjërën nga fanellat e këtij sezoni, për të shmangur problemet me dallueshmërinë vizuale gjatë ndeshjes.

Sipas gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, skuadra e Hansi Flickut vendosi ta përdorë fanellën e tretë të sezonit të kaluar, pasi UEFA dhe transmetuesi vlerësuan se të tria fanellat aktuale të klubit mund të shkaktonin konfuzion vizual në përballjen me Paris Saint-Germainin.

Si rrjedhojë, u përjashtua mundësia e përdorimit të fanellës së parë të Barcelonës, e cila kombinon ngjyrën e kaltër me të kuqen e errët, si dhe të dy fanellave alternative.

Fanella e dytë, e cila kombinon ngjyrën e zezë me vjollcën, u konsiderua e ngjashme me ngjyrat e skuadrës franceze. Ndërkohë, UEFA dhe transmetuesit vlerësuan se edhe ngjyra e kaltër në fanellën e tretë të këtij sezoni mund të shkaktonte probleme me dukshmërinë për shikuesit që e ndjekin ndeshjen nga shtëpia.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që Barcelona e përdor fanellën portokalli të sezonit të kaluar gjatë këtij edicioni. Lojtarët e Flickut e kishin veshur atë edhe në një ndeshje miqësore parasezonale kundër Baselit.

Ajo ndeshje u sjell kujtime të mira katalunasve, pasi Barcelona kishte triumfuar me rezultat 5-2 ndaj Baselit në stadiumin “St. Jakob-Park”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume