Sipas Agjencisë Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO), trafiku detar përmes Ngushticës së Hormuzit mbeti rreth 70 për qind nën nivelet e para konfliktit, ndërsa sulmet ndaj anijeve tregtare vazhduan, transmeton Anadolu.
MARKETING
Në raportin e saj javor, UKMTO raportoi 125 kalime të anijeve në dalje dhe 129 në hyrje gjatë shtatë ditëve të fundit, shifra që sipas agjencisë shënojnë rënie krahasuar me javën paraprake, kur u regjistruan 129 kalime në dalje dhe 146 në hyrje.
UKMTO raportoi 12 sulme ndaj anijeve gjatë javës, përfshirë 10 në Ngushticën e Hormuzit, një në Gjirin Persik dhe një në Gjirin e Omanit. Gjashtë anije vazhduan lundrimin ose arritën në port, një u fundos, dy mbetën të paafta për të lundruar ose pa mundësi komandimi, ndërsa për tre të tjera rezultati mbetet i pakonfirmuar.
Anija transportuese e kontejnerëve fundoset pas goditjes nga një predhë
UKMTO gjithashtu njoftoi se një anije transportuese e kontejnerëve u godit nga një predhë e paidentifikuar pranë Ras Shaykh Masud më 13 tetor. Sipas agjencisë, anija mori flakë dhe u fundos të nesërmen.
Të gjithë anëtarët e ekuipazhit u evakuuan.
Agjencia paralajmëroi se po përballej me vështirësi në përcaktimin e numrit të saktë të sulmeve, pasi shumica e anijeve të shënjestruara kishin refuzuar të raportonin incidentet.
UKMTO tha se që nga fillimi i konfliktit, në fund të shkurtit, ka regjistruar 84 incidente në Ngushticën e Hormuzit.
Sulmet e raportuara ndodhën në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe SHBA-së lidhur me lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të mbeten të larta.
Kjo rrugë ujore është një korridor i rëndësishëm për transportin global të energjisë dhe mallrave, si dhe mbetet një çështje kyçe në negociatat mes Washingtonit dhe Teheranit.
Konflikti nisi më 28 shkurt me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, të cilat u pasuan nga një armëpushim në prill.
Përplasjet mes Washingtonit dhe Teheranit rifilluan më vonë, pasi negociatat ngecën, megjithëse të dyja palët nënshkruan një marrëveshje kuadër në qershor.