Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, nëse edhe Moska bën të njëjtën gjë.

MARKETING

Reagimi i tij vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për një “armëpushim energjetik”, i cili, sipas tij, hyn në fuqi menjëherë. Megjithatë, Trumpi nuk dha detaje për marrëveshjen, ndërsa Moska ende nuk ka reaguar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky ka thënë se pret sqarime për marrëveshjen dhe rezultatet e bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Ukraina është e gatshme të mos sulmojë objektet energjetike ruse dhe ne presim gatishmëri të njëjtë nga Rusia”, ka shkruar ai.

Megjithatë, presidenti ukrainas ka akuzuar Rusinë për sulme ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës edhe pas deklaratës së Trumpit. Sipas tij, një dron rus ka goditur një central elektrik në Kiev, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Sulme janë raportuar edhe në rajonin e Harkivit.

Thirrja për armëpushim energjetik është mbështetur nga Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, Trumpi po përballet me kritika për marrëveshjen që parasheh lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj importeve të naftës dizel ruse në tregun amerikan dhe atë global.

Zelensky e ka cilësuar këtë marrëveshje si një dhuratë për presidentin rus, Vladimir Putin. Kundërshtime kanë shprehur edhe zyrtarë evropianë dhe senatorë amerikanë, të cilët paralajmërojnë se lehtësimi i kufizimeve mund t’i sigurojë Moskës të ardhura për financimin e luftës.

Trumpi synon uljen e çmimeve të karburanteve në SHBA para zgjedhjeve të mesmandatit, në një kohë kur çmimet e energjisë janë rritur si pasojë e tensioneve dhe luftës me Iranin.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume