Të paktën gjashtë viktima dhe 20 të plagosur pas një sulmi ajror izraelit ndaj spitalit Nasser në jug të Gazës. Mes të vrarëve është edhe një kirurg. Izraeli pretendon se brenda kompleksit spitalor vepronte një drejtues i lartë i Hamasit dhe se godina përdorej për qëllime ushtarake. Hamasi e ka dënuar sulmin, duke e cilësuar krim lufte.

As spitalet nuk i shpëtojnë bombardimeve në Gaza.

Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror izraelit ndaj një ndërtese në kompleksin spitalor Nasser, në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.

Mes viktimave është edhe një kirurg, Rezik Abushira. Sipas Mbrojtjes Civile në Gaza, goditja ka prekur departamentin e kirurgjisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinë.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë korridore të mbushura me rrënoja, tavane të shembura dhe pajisje të shkatërruara. Të plagosurit janë nxjerrë me barela, ndërsa disa të tjerë kanë mundur të largohen në këmbë nga ambientet e dëmtuara.

Por ushtria izraelite pretendon se spitali përdorej nga Hamasi si qendër komanduese për operacione ushtarake. Sipas saj, brenda kompleksit ndodheshin armë, ambiente për koordinimin e operacioneve dhe pika vëzhgimi. Objektiv i sulmit, sipas ushtrisë, ishte një drejtues i lartë i Hamasit dhe disa anëtarë të krahut të armatosur të organizatës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume