Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka vendosur të shqiptojë masë pezullimi ndaj mjekuy Gëzim Berisha, i dyshuar për dhunë në familje.

Gazetarja e Klan Kosova, Arbreshë Uka, ka raportuar se ShSKUK ka marrë vendim që Berisha të pezullohet nga pozita si drejtor i Spitalit Rajonal të Mitrovicës.

Ky vendim erdhi pasi Gjykata Themelore në Prishtinë nxori aktvendim për masën e sigurisë ndaj mjekut të dyshuar, i cili do të jetë subjekt hetimi.

Gjyqtarja e procedurës paraprake e refuzoi kërkesën për paraburgim, duke caktuar një masë alternative, atë të arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, raporton Klankosova.tv.

Gjykata ka vlerësuar se arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.

Ndryshe, sipas informacioneve të para, Berisha është arrestuar pasi dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten e tij se do t’i ndodhte e njëjta gjë sikurse Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 nga ish-kunati i saj, pasi më parë kishte raportuar dhunën në familje.

Përdorimi i rastit tragjik të Arlinda Zekajt si mjet kërcënimi nga ana e një drejtuesi të një institucioni publik shëndetësor, ka ngjallur shqetësim të madh te qytetarët dhe shoqëria civile. /Klankosova.tv

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume