Pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve, Real Madridi rikthehet në aksion në La Liga të shtunën mbrëma, kur në stadiumin “Santiago Bernabeu” do të përballet me Celta Vigon.

Pasi kishte regjistruar tetë fitore radhazi para ndërprerjes së kampionatit, “Los Blancos” do të synojnë ta vazhdojnë aty ku e kanë lënë dhe të marrin një tjetër fitore nesër.

Celta Vigo kishte shkaktuar një befasi të madhe sezonin e kaluar, duke e mposhtur Real Madridin me rezultat 2-0 në “Santiago Bernabeu”, në kohën kur skuadra madrilene drejtohej nga Xabi Alonso.

Megjithatë, trajneri i skuadrës galiciane, Claudio Giraldez, nuk beson se Real Madridi ka ndryshuar shumë nën drejtimin e Jose Mourinhos këtë sezon.

“Nuk mendoj se Real Madridi është aq ndryshe. As përbërja e skuadrës nuk ka ndryshuar. Ka disa nuanca në qasjen e trajnerit, të cilat mund të jenë më të mira ose më të këqija, varësisht nga shijet individuale. Disa aspekte të planit të lojës së sezonit të kaluar mund të funksionojnë për ne, ndërsa disa të tjera jo”, deklaroi ai.

Trajneri i Celta Vigos pati edhe fjalë të mëdha vlerësimi për Jose Mourinhon, të cilin e konsideron një prej trajnerëve më të mirë në histori të futbollit.

“Ai është një nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit. Ne që jemi në fillimet tona si trajnerë do të dëshironim ta kishim gjysmën e suksesit që ai e ka arritur gjatë karrierës së tij. Mendoj se është një trajner special, që nuk kalon pa u vënë re, me skuadra që janë gjithmonë konkurruese dhe të organizuara mirë. Ai di ta menaxhojë mirë dhomën e zhveshjes. Është nder të kem mundësinë të përballem me të”, u shpreh Giraldez.

Trajneri i Celta Vigos beson fuqishëm se lojtarët e tij po i qasen sfidës me mentalitetin e duhur dhe kanë vetëbesimin për ta përsëritur suksesin e sezonit të kaluar në kryeqytetin spanjoll.

“E shoh skuadrën që i qaset çdo ndeshjeje me bindjen se mund të fitojë. Nuk ka qenë gjithmonë kështu që kur kam filluar ta drejtoj ekipin e parë. Tani jemi të bindur se Celta mund të jetë konkurruese ndaj çdo kundërshtari”, tha ai.

Më tej, ai shtoi: “Fitorja e sezonit të kaluar atje, në Metropolitano apo në stadiume të ngjashme, na jep vetëbesimin për t’iu qasur ndeshjes në këtë mënyrë. Kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. E dimë se ata janë një nga skuadrat më të mira në botë dhe ndoshta janë në formën e tyre më të mirë këtë sezon, duke ardhur gjithnjë në ngritje. Janë një skuadër solide dhe e organizuar mirë”.

Megjithatë, Celta Vigo do të hyjë në ndeshjen e nesërme pa njërin prej lojtarëve të saj më të rëndësishëm, Borja Iglesias. Pavarësisht kësaj, Giraldez është i bindur se skuadra e tij mund të gjejë mënyrën për të marrë një rezultat pozitiv edhe pa të.

“Ne zhvilluam një ndeshje fantastike në Lyon pa Borjan, në një transfertë shumë të vështirë kundër një skuadre shumë të fortë. Për t’ju dhënë një shembull, kemi luajtur disa ndeshje kundër Barcelonës, Real Madridit apo Atletico Madridit pa Borjan, pa Iagon… pa disa lojtarë shumë të veçantë. Skuadra është e aftë të shfrytëzojë alternativa të ndryshme. Ndeshjet nuk luhen individualisht”, përfundoi trajneri i Celta Vigos.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume