Një zyrtare e lartë në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, Harmeet Dhillon, e cila drejtoi Divizionin e të Drejtave Civile dhe mbikëqyri hetimet që përfshinin universitetet, procesin e votimit dhe lirinë fetare, pritet të japë dorëheqjen së shpejti, thanë të enjten për agjencinë Reuters dy persona të njohur me çështjen.
Dhillon është një nga zyrtaret e para të nivelit të lartë që largohet nga administrata e Presidentit Donald Trump, pas humbjes së thellë të Partisë Republikane në zgjedhjet e ndërmjetme të së martës, e cila u mundësoi demokratëve të rimarrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
Dhillon, një aleate e Trumpit, mbikëqyri një ristrukturim të gjerë të njësisë për të drejtat civile në Departamentin e Drejtësisë.
Ajo e zhvendosi fokusin e kësaj njësie, nga lufta kundër diskriminimit ndaj pakicave racore dhe hetimi i policisë vendore, drejt prioriteteve të Trump, siç janë e drejta për të mbajtur armë dhe lufta kundër antisemitizmit në kampuset universitare. Dhillon luajti një rol kryesor në hetimet që administrata Trump ndërmori ndaj universiteteve elitare amerikane.