Raporti i Komisionit Evropian njeh rezultatet e zbatimit të Agjendës Reformuese, reformimin e gjyqësorit, rritjen ekonomike, digjitalizimin dhe bashkëpunimin rajonal. Këto vlerësime konfirmojnë se puna në institucione po njihet nga Brukseli.
Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet me performancën më të mirë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Deri në qershor janë liruar mbi 142 milionë euro, përfshirë parafinancimin.
Pas këtyre mjeteve qëndrojnë detyrime të përmbushura dhe hapa reformues të vlerësuar nga Komisioni Evropian. Kjo është arritje e kësaj qeverie, qeverisjes VLEN.
Raporti evidenton edhe angazhimin për integrimin gradual në tregun e përbashkët të BE-së. Për VLEN-in, kjo është mundësi që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë nga afrimi me Bashkimin Evropian edhe para anëtarësimit të plotë.
Raporti evidenton rritje ekonomike prej 3,5 për qind, duke veçuar investimet, përshpejtimin e punimeve në infrastrukturën rrugore dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit ndër shtytësit e saj.
Rëndësi të veçantë ka evidentimi i propozimligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i përgatitur nën drejtimin e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari. Raporti njeh edhe përparimin në reformën e gjyqësorit, përfshirë ligjet e reja për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë. Ligji për Këshillin Gjyqësor adreson në masë të madhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Korridori 8 dhe zhvillimi i lidhjeve hekurudhore me Kosovën i shërbejnë lidhjes më të fortë me Shqipërinë, Kosovën dhe rrjetet evropiane, duke hapur mundësi për tregti, lëvizje dhe bashkëpunim.
Komisioni Evropian po ashtu vlerëson harmonizimin e plotë të vendit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke e cilësuar Maqedoninë e Veriut si partner të besueshëm.
Me rënien e BDI-së nga pushteti, avash avash po ngushtohet edhe hapësira për ndikimin e “Botës serbe” në Maqedoninë e Veriut. Shkëputja nga ky ndikim dhe forcimi i lidhjeve me Kosovën, Shqipërinë dhe partnerët evropianë janë pjesë e kursit politik për të cilin angazhohemi çdo ditë.
Vërejtjet e raportit i marrim si detyra për t’i përshpejtuar reformat dhe për të dhënë rezultate aty ku ende ka mangësi.
Për ne, Bashkimi Evropian është kryefjala e angazhimit tonë politik.
Zhbllokimi i rrugës evropiane dhe përmbushja e detyrimeve për anëtarësim janë në krye të agjendës sonë politike.