Gjashtë shtetas shqiptarë janë arrestuar në Gjermani, në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut të lëndëve narkotike, ku autoritetet zbuluan pesë plantacione kanabisi me më shumë se 2.300 bimë. Në total, në pranga ranë tetë persona, mes tyre edhe një shtetas gjerman dhe një italian, ndërsa hetimet dyshojnë se grupi kriminal kishte shtrirë aktivitetin e tij në zonat kufitare mes Gjermanisë dhe Francës.
Operacioni u zhvillua nga hetuesit doganorë dhe forcat e policisë në landin e Saarland-it dhe në zonën e Nordpfalz-it. Gjatë kontrolleve në 11 banesa dhe ambiente biznesi, autoritetet sekuestruan rreth 33 kilogramë amfetaminë, 11.5 kilogramë marihuanë dhe afro një kilogram hashash. Gjithashtu, u gjetën MDMA, tableta ekstazi, një presë për prodhimin e tabletave, disa armë dhe rreth 22 mijë euro para të gatshme.
Sipas hetimeve, personat e dyshuar përdornin ndërtesa të pabanuara për kultivimin e kanabisit, të cilin më pas e shpërndanin në rajonin ndërkufitar dhe në Francë. Ndaj njërit prej të dyshuarve rëndon edhe dyshimi për trafikim të lëndëve narkotike i armatosur.
Hetimet nisën pas një kontrolli doganor në muajin maj, pranë qytetit të Pirmasensit, ku një person u arrestua pasi në bagazhin e automjetit të tij u gjetën rreth 20 kilogramë marihuanë. Ky zbulim çoi në zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e rrjetit.
Operacioni u shtri edhe në Francë, ku autoritetet kryen kontrolle në rajonin Grand Est dhe arrestuan 13 persona të tjerë. Prokuroria e Saarbrücken-it dhe Zyra e Hetimit Doganor në Frankfurt am Main bëjnë me dije se hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Tetë personat e arrestuar në Gjermani u paraqitën përpara një gjyqtari hetues në Gjykatën e Shkallës së Parë në Saarbrücken. Për gjashtë shtetasit shqiptarë, një shtetas gjerman dhe një shtetas italian u lëshuan urdhër-arreste. Njëri prej tyre u la i lirë me masa dhe kushte kufizuese, ndërsa shtatë të tjerët u dërguan në paraburgim.