ZGJEDHJET E PARAKOHSHME DHE FRIGA E VLEN-it NGA ATO

Nga Muhamed Zekiri

Po, po folet se do te ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Po thojnë ka prilli i vitit të ardhshëm. Por dikush spo mendon keshtu po thote se s’na duhen zgjedhje por na duhet zgjidhje….

Arsyetimet e këtilla të VLEN-it, se vendit i duhen zgjidhje dhe jo zgjedhje nuk mund të përdoren pafundësisht për t’iu shmangur llogaridhënies, se ha pazari më këtë. Sidomos kur premtimet ndaj shqiptarëve mbeten larg pritshmërive.

Edhe raporti i Komisionit Evropian evidenton probleme që lidhen me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe zbatimin e gjuhës shqip dhe jo vetëm.

VLEN-i hyri në qeveri me premtimin se do ta ndryshonte pozitën e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe në vendimmarrje. Por sot pyetja është: çfarë kanë fituar realisht shqiptarët nga të qenurit të VLEN në pushtet.

Përfaqësimi formal në qeveri nuk nënkupton automatikisht fuqi politike. Të kesh ministra nuk do të thotë se ke ndikim në vendimmarrje.

Nëse VLEN-i beson se i ka përmbushur pritshmëritë, zgjedhjet janë mundësia më e mirë për ta dëshmuar këtë. Nëse jo, shtyrja e tyre vetëm e zgjat përballjen me elektoratin dhe agonin që i ka kapluar.

Për BDI-në fitorja në Bërvenicë ishte një sinjal i rëndësishëm politik dhe një shtytje për opozitën shqiptare. Ajo tregoi se gara politike nuk është e mbyllur dhe se pakënaqësia e elektoratit mund të reflektohet edhe në rezultat zgjedhor.

Tek blloku politik shqiptarë paradoksi është i qartë: BDI-ja, si opozitë, kërkon zgjedhje të parakohshme, ndërsa VLEN-i, si pjesë e pushtetit, përpiqet t’i shmangë.

Mirëpo në fund Mickoski e ka çelësin, ndërsa VLEN-i mund ta paguajë çmimin!

VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit është në pozitë më komode. Për të, zgjedhjet e parakohshme mund të jenë mundësi për të rifreskuar legjitimitetin dhe për të rikonfiguruar partneritetin qeveritar.

Pyetja kryesore tani është çfarë do të ndodhë me përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe me partneritetin aktual në qeverinë e Mickoskit dhe pse mund të ketë zgjedhje të parakohshme?

Së pari, sepse kjo nuk do të ishte hera e parë që VMRO-DPMNE-ja e ndërpret mandatin para afatit. Historia politike tregon se gjatë qeverisjes së saj, zgjedhjet parlamentare të viteve 2008, 2011, 2014 dhe 2016 u mbajtën para përfundimit të mandatit katërvjeçar. Pra, zgjedhjet e parakohshme janë një instrument politik që VMRO-ja e ka përdorur edhe më parë.

Së dyti, qeveria përballet me një sërë sfidash që mund ta shtojnë presionin politik: pakënaqësinë për koston e jetesës, dmth gjendjen e rënd ekonomike, ngecjen në procesin e integrimit evropian dhe mungesën e hapave konkretë për ndryshimet kushtetuese.

Në këtë panoramë duhet parë edhe zhvillimi i fundit rreth aferës Alta Bank, si në Serbi, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Ndryshimet politike në Serbi dhe hetimet që po zhvillohen atje mund të sjellin informacione dhe zhvillime të reja me interes edhe për opinionin publik në Maqedoni. Nëse këto hetime do të prekin edhe interesa apo persona të lidhur me pushtetin këtu, kjo mbetet për t’u vërtetuar nga organet kompetente. Por është një zhvillim që qeveria nuk mund ta injorojë.

Pra, kombinimi i këtyre faktorëve mund ta bëjë vitin 2027 një moment të rëndësishëm për rikonfigurimin e skenës politike.

Në këtë situatë, lind pyetja që shqetëson më shumë VLEN-in: a do të vazhdojë të jetë partneri i preferuar shqiptar i Mickoskit, apo VMRO-DPMNE-ja do të kërkojë një formulë tjetër politike pas zgjedhjeve?

Nëse zgjedhjet mbahen gjatë vitit 2027, ato do të jenë një test për të gjithë.

VLEN-i do të duhet të japë llogari për premtimet dhe përfaqësimin shqiptar. BDI-ja do të duhet të dëshmojë se është e gatshme për rikthim dhe se ka një ofertë të re politike.

Por, mbi të gjitha, këto zgjedhje do të jenë një provë për pozitën e shqiptarëve në shtet.

A do të vazhdojnë shqiptarët të jenë faktor real në vendimmarrje, apo do të mbeten vetëm numra për të siguruar shumicën parlamentare?

Sepse të jesh në qeveri nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh në pushtet. Dhe pikërisht ky është paradoksi që VLEN-i duhet t’ua shpjegojë shqiptarëve!

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume