Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë, tha se është shumë e shqetësuar me krizën në veri të Kosovës dhe se sipas saj, gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë përmes dialogut në Bruksel. Presidentja e Komisionit Evropian, tha se është shumë më rendësi që të ecet tutje përpara në rrugën evropiane.
Më duhet të them që jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është shumë me rëndësi që të shtensionohet situata, të kthehemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. E vetmja mënyra sesi mund të bëhet kjo është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është platforma e vetme e zgjidhjes së krizës aktuale – deklaroi Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërkohë e akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për deklaratat luftënxitëse që rezultuan me djegien e dy qendrave të regjistrimit të automjeteve në veri të vendit më 25 shtator. Kurti tha po ashtu se se Serbia në njërën anë merr donacione nga Bashkimi Evropian e në anën tjetër armatoset me armë nga Rusia dhe Kina.
Fatkeqësisht jemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia, përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina – tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Kryeministri Kurti edhe njëherë kujtoi gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për uljen e tensioneve përmes zëvendësimit të forcave speciale me ato të KFRO-it dhe heqjen e barrikadeve, por një propozim i tillë ishte refuzuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Tensionet në Kosovë i paraprinë vendimit të qeverisë së Kosovës më 20 shtator që të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.
Isuf Kadriu