Në kuadër të manifestimit të 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me ç’rast po organizohet edhe një panair i librit akademik, sot në hapësirat e ASHSH-së në Tiranë u përurua vepra “Dialektologjia shqiptare – Të folmet shqipe të Maqedonisë së Veriut” 1 dhe 2, të botuara nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve –Shkup.
Promovimin e hapi përgjegjësi i botimeve në ITShKSh, Dr. Sevdail Demiri, i cili foli shkurtimisht mbi veprimtarinë botuese të Institutit, duke u ndalur veçanërisht në botimet e Departamentit të Gjuhës Shqipe.
Të pranishmëve në këtë ngjarje iu drejtua edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, i cili – duke e uruar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për këtë 50-vjetor – theksoi edhe se veprimtaria shkencore institucionale, që tashmë po merr trajtë me punën e ITShKSh-së, është një ogur i mbarë që dëshmohet edhe përmes këtyre veprave.
Për vlerën shkencore dhe rëndësinë e dy vëllimeve foli Dr. Zeqirija Ibrahimi – këshilltar shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore ët Shqiptarëve. Ai theksoi se këto vepra janë “historia gjuhësore” e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke shpjeguar se deri tash janë botuar dy vëllime, se vëllimi i tretë është në përgatitje e sipër, ndërsa seria e plotë do të ketë së paku 5 ose 6 vëllime, thuhet në komunikatën me shkrim të lëshuar nga ana e Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve –Shkup.