Adnan Azizi nga Lëvizja Besa së fundi ka hedhur akuza në adresë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Sipas Azizit BDI është fajtor edhe për vërshimet që goditën Tetovën, transmeton TS.
Azizi është ankuar për siç shkruan ai, neglizhimin e Qeverisë ndaj kësaj situate të rëndë për të gjithë.
“Qeveria dhe partia shqiptare në vend që të distancohet nga ish-kryetarja Arifi dhe të ndihmojnë Tetovën për një rimëkëmbje të shpejtë, ata kanë zgjedhur që tu hakmerren tetovarëve dhe ta sabotojnë menaxhmentin e ri të Komunës”, ka shkruar Azizi.
Më poshtë postimi i plotë i Azizit:
Tetova, turpi i Qeverisë dhe Neuroza e BDI-së
Brenda tre ditëve të fundit Tetova dhe qytetarët e saj pësuan dy katastrofa të mëdha, por që fal Zotit pa viktima. Shpreh solidarizimin tim me pronarët dhe punëtorët e kompanisë PoFix dhe gjithë qytetarët që pësuan dëme materiale nga vërshimet. Si çdoherë, tetovarët treguan solidaritet të madh me njëri-tjetrin në këto ditë të rënda. Mes tjerave, duhet çmuar dhe falenderuar të gjithë ata që mundësuan në lokalizimin e zjarrit, duke filluar me Brigadën e Zjarrëfiksëve të Tetovës, Komunën e Gostivarit, Qytetin e Shkupit, Komunën e Zhelinës dhe gjithë vullnetmirët që në menyrë individuale kontribuan që zjarri të shuhet sa më shpejt.
Por, në këtë rast, nuk mund të mos e shprehim revoltën tonë dhe të gjithë qytetarëve të Tetovës për neglizhimin e Qeverisë ndaj kësaj situate të rëndë për të gjithë. Është ironike dhe e papranueshme që Qeveria të hesht dy ditë radhazi për vërshimat që shkaktuan dëme të konsiderueshme, pa asnjë reagim dhe solidarizim me qytetarët e Tetovës dhe hezitimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, vetëm e vetëm për t’i ikur ndihmës që detyrohet qeveria për Tetovën.
Turpi bëhet akoma më i madh kur e mendon se si ndërhyrja e helikopterit për shuarrjen e zjarrit vjen 4 orë me vonesë.
Reagimi 6 orë me vonesë i kryeministrit, sikur Tetova të mos ishte në hartën e shtetit ishte vula e kësaj katastrofe qeveritare.
Qeveria dhe partia shqiptare në vend që të distancohet nga ish-kryetarja Arifi dhe të ndihmojnë Tetovën për një rimëkëmbje të shpejtë, ata kanë zgjedhur që tu hakmerren tetovarëve dhe ta sabotojnë menaxhmentin e ri të Komunës.
Pas humbjes së Tetovës, shpalosjes së skandaleve nga kryetari Kasami për ish-kryetaren Arifi, Tetova është kthyer në turp të BDI-së, dhe është bërë simbol i dështimit të tyre. Tetova është kthyer në një neurozë të BDI-së. Pas ngjarjeve të fundit, Tetova u bë edhe turp i Qeverisë, andaj edhe kjo Qeveri pa kredibilitet duhet të dorëhiqet sa më shpejt!