Troshanovski: Propozimi francez është i dëmshëm/ Sipas Dimitrovit propozimi përmban vetëm kërkesat bullgare
Urgjentisht të caktohet seancë në Kuvend ku do të debatohet për propozimin francez, kërkon kryetari i Institutit për demokraci, Marko Troshanovski. Ai mendon se as Qeveria nuk duhet të hesht dhe të mendojë se vendet anëtare të BE-së nuk do të pranojnë të futen çështjet dypalëshe brenda Kornizës negociuese, por menjëherë të kërkojë korrigjime të këtij dokumenti. Sipas Troshanovskit ky propozim është i dëmshëm për vendin tonë, për shkak se pikërisht Bullgaria përmes vlerësimit të raporteve për progres, do ta ngecë këtë proces.
“Ky është precedent që deri më tani nuk ka ndodhur edhe pse disa thonë se tani topi nga Sofja kthehet në Bruksel, megjithatë Sofja do të ketë kontribut të madh në përgatitjen e këtyre raporteve që kanë të bëjnë me progresin. Problemet që mund të inkuadrohen brenda tyre, nuk na garanton se në të ardhmen kjo deklaratë nuk do të abuzohet gjatë vlerësimit të progresit tonë në procesin e negociatave dhe gjuha përsëri të bëhet një prej kushteve për progresin e Maqedonisë”- deklaroi Marko Troshanovski, Institut për Demokraci.
Me pikën për futjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë nga njëra anë nuk respektohet reciprociteti i respektimit të të drejtave të maqedonasve në Bullgari, por nga ana tjetër BE-ja hyn në diçka që nuk është nën kompetencat e saj, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për politika evropiane. Sipas saj, është shumë e kontestueshme ajo që këtu përfshihet edhe Komisioni i përzier historik përmes Protokollit.
“BE-ja hyn në territore që nuk është nën kompetencat e saj. Çështjet e minoriteteve në BE, shtëpia e tyre është Këshilli i Evropës. BE-ja brenda saj nuk ka rregulluar standarde për këto çështje sidomos Franca dhe Bullgaria nuk kanë, kështu që në këtë aspekt ndjejmë se ky propozim prek fusha ku nuk duhet t’i prekë dhe krijon precedent para se gjithash. Edhe me komisionin historik, nëse hyn përmes protokollit dhe çështjeve të minoriteteve që mund të jenë shumë të rrezikshme për zgjerimin e BE-së në të ardhmen”- tha Simonida Kacarska, Institut për Politika Evropiane.
Ish zv/kryeministri për çështje evropiane Nikolla Dimitrov pyet se si ramë nën linjat tona të kuqe pas propozimit portugez dhe gjerman?! Tani edhe çështjet dypalëshe hyjnë në kornizën negociuese, si dhe kushti për futjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, thotë ai duke konstatuar se propozimi francez nuk na çon drejt BE-së por në një sokak të ngushtë të ngarkuar me kërkesat e Bullgarisë.
“Nuk mund në Maqedoninë tonë ta fusim bashkësinë bullgare brenda Kushtetutës me kërkesë të Bullgarisë, ndërsa Bullgaria për popullin maqedonas i cili e flet gjuhën maqedonase ende nuk ka pozitë të qartë për identitetin e tij. Zgjerimi duhet të lidhet me reforma. Nëse vendoset kuti dëshirash bilaterale prishet e gjithë esenca. Andaj mendoj se pas gjithçka që kaluam ne si popull dhe komb, e meritojmë kornizën negociuese evropiane”- pohoi Nikolla Dimitrov, ish zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Propozimi francez javën e kaluar iu dorëzua të gjitha vendeve anëtare që duhet të prononcohen në lidhje me të, mes të cilëve është edhe Bullgaria e cila qëndrimin e saj duhet ta formojë në Kuvend.