Ben Emmerson, avokat i ish kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se një prej temave qe del në pah në parashtrimet e Prokurorisë është ajo se për arsye të të qenit lojal ndaj të akuzuarve, pretendohet se nuk mund të jepen emrat e disa dëshmitarëve.
Kjo sipas tij do të thotë që duhet të ketë shumë prej tyre që janë shumë besnik, dhe që nuk do të jenë në gjendje të pranojnë një deklaratë të mëparshme.
Emmerson i kujtoi Gjykatës se Veseli qysh në ditën e dërgimit në Hagë dhe në seancën e parë të tij, kishte bërë thirrje për bashkëpunim me gjykatën.
“Zoti Veseli ka dhënë mesazh të fortë, të qartë për të gjithë, që të gjithë duhet të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara, se askush nuk duhet të mendojë se mos bashkëpunimi është një kauzë që ndihmon të akuzuarit. Ai më ka kërkuar specifikisht të theksoj këtë pjesë të deklaratës që e ka bërë në momentin e arrestimit të tij, dhe në seancën e parë. Ai ka kërkuar që të gjithë të jenë bashkëpunues”, tha ai.
Emmerson kujtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte një organizatë e strukturuar, por një lëvizje popullore.
“UÇK ishte një lëvizje e njerëzve, një përpjekje për të mbrojtur popullsinë civile, për t’i mbrojtur nga aktet çnjerëzore nga forcat serbe”, tha ai.