Shkruan: Shaban Sinani
Vëllimi poetik “Më jep një ëndërr” i poetes Sadije Aliti është libri më i ri që sapo ka parë dritën e botimit. Libri përman mbi njëqind poezi, krijime të reja të autores të punuara viteve të fundit.

“Gjatë leximit të poezisë “Më jep një ëndërr”, kam arritur të kuptoj se leximi i poezisë është një akt i zbulimit dhe gjurmimit të domethënies së ndjenjave, si një akt i ndjenjës shpirtërore, që në shumicën e rasteve, ky akt shndërrohet në vetëdije për ta trazuar jetën si lum i gurrës që e gjen rrugën e vetë, për t’u derdhur në dete e, më pas aty ku përfundojnë ngjyrat e shenjat e një poeti, apo si në këtë rast poete, e cila ka arritur ta identifikoj veten, si: edukatore; mësimdhënëse; publiciste; luftëtare për të drejta e grave; humaniste; poete; me një poezi ndryshe nga poezitë që e kanë simbolikë, apo figurë dashurinë, apo lirinë e lirikës sociale e atdhetare”-thekson recenzentja e librit Behare Neziri.
Redaktori i librit Dr.Ejup Ajdini, në vlerësimine tij ka shkruar: ”Para, vargut të Sadije Alitit i ndizet një qerpik ngadhënjimi. Ajo fton të bukurën qetësisht pa tamtame dhe në rrezet e vargut të saj ndjehet përjetimi poetik dhe estetik i muzgut kur perëndon dielli dhe pret nga pastërtia shpirtit të ndizet në pishtar. Gjatë këtij muzgu, shpirti i poetes e pret dhe e përjeton disi, si me trishtim, pasi të lehurat nëpër errësirë nuk ndalen asnjëherë. Ajo nuk bie nëpër gracka të paragjykuara nga hienat e kohës moderne. Ajo është e kujdesshme nga të gjitha kurthet e mundshme, ku, në vargun e saj edhe e shkoqit këtë ndjesi, pasi ajo nuk do një fustan te bardhë e me njolla të zeza. Ajo vendosi të jetojë me virtytin jetës e të transparencës shoqërore”.
Në dritën e shpirtit të poeteshës dallohet edhe ylberizimi e figurave letrare-artistike edhe për nga motivi i atdhedashurisë, të cilat na dalin si një kurorë magjike përballë historisë sonë të lavdishme, për mes së cilave zbukuron gjithçka që është shqiptare. Këto poezi me motive atdhedashurie gati se përbëjnë një cikël më vete. Më tepër i përkushtohet figurës së Skënderbeut, Teutës, Kuvendit të Arbrit, atij të Lezhës, Nënës Terezë, Flamurit, Bashkimit kombëtar etj.
Vargu i poetes tetovare Sadije Aliti tani komunikon edhe nëshumë gjuhë të tjera të Evropës e më gjerë.
Ekipi punues: dr. Ejup Ajdini- redaktor, Behare Neziri- recensente, mr.Elez Ismaili- lektor, Muhaxher Haruni- korrektor, Besim Xhelili- realizimi kompjuterik, Sabrie Ismaili- ballina, shtypi Print factory nw Shkup. Ky botim financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut