Në centralin bërthamor të Çernobilit mbizotëron një popullatë me bretkosa me ngjyrë jo normale të zezë të lëkurës, 36 vite pas shpërthimit që njihet si katastrofa më e madhe nukleare në histori.

Këto bretkosa të pemëve zakonisht duhet të kenë ngjyrë jeshile të hapur, por disa shkencëtarë që po punojnë pranë centralit vunë re se popullata që mbizotëron aty ka një pigmentim të zi të lëkurës.

Tani shkencëtarët mendojnë se lëkura më e errët e bretkosave që kanë pësuar muatcion mund t’i ketë ndihmuar të mbijetojnë në zonën e përjashtimit, e cila sot kufizon aksesin në 10000 milje katrore rreth “tokës zero”.

Germán Orizaola, një studiues në Universitetin spanjoll të Oviedos, i cili ishte bashkëautor i studimit, tha: “Ne i vumë re bretkosat që në natën e parë që punuam në Çernobil.”

“Ne e dimë se melanina është përgjegjëse për ngjyrën e errët ose të zezë në shumë organizma, duke përfshirë bretkosat. Në të njëjtën kohë, e dimë se melanina mbron nga dëmtimet e shkaktuara nga lloje të ndryshme të rrezatimit, nga rrezet UV deri te rrezatimi jonizues – lloji i Çernobilit.”
Për studimin e tyre, Dr. Orizaola dhe bashkëautori i tij, Pablo Burraco, mblodhën më shumë se 200 bretkosa meshkuj nga 12 pellgje të ndryshme mbarështimi me nivele të ndryshme rrezatimi.

Ata zbuluan se bretkosat brenda zonës së përjashtimit ishin shumë më të errëta se ato jashtë saj.

Dhe megjithëse nuk kishte asnjë lidhje midis bretkosave më të errëta dhe vendeve më të rrezatuara sot, kishte një korrelacion me vendet më të prekura nga koha e ngjarjes. Me fjalë të tjera, bretkosat më të errëta kishin një shans më të mirë për të mbijetuar kur ndodhi fatkeqësia në vitin 1986, duke i bërë ato më të shumta në numër sot. /abcnews.al/