Sot shënohet 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Madje media të shumta botërore zunë vend në Kosovë dhe u mahnitën me pamjet se si rreth 700 mijë qytetarë në acar e të ftohtë rreth -20 gradë, përcollën e nderuan për herë të fundit presidentin Rugova.
Më 23 janar 2006, funerali me trupin e presidentit Rugova u vendos në hollin e Kuvendit të Kosovës, dhe edhe pse ishte i ftohtë i madh, njerëzit nuk u ndalën që për tri ditë me radhë të bënin homazhe.
E 17 vjet pas vdekjes, krerë vendorë e ndërkombëtarë çmuan lart jetën dhe veprën e ish-presidentit Rugova, të cilin e vlerësuan si themeltar të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
12:55 – Szunyog kujton Rugovën: Qasja e tij paqësore na nevojitet shumë sot
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e tij të vdekjes.
Szunyog vlerëson se Rugova do të mbahet mend gjithmonë si promotor i qasjes paqësore për arritjen e qëllimeve politike e cila sipas tij është shumë e nevojshme këto ditë, njofton Klankosova.tv.
“Dr. Ibrahim Rugova do të mbahet mend gjithmonë si promotor i qasjes paqësore dhe jo të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike, e cila është shumë e nevojshme këto ditë. Trashëgimia e tij jeton. U preftë në paqe”, ka shkruar Szunyog në Twitter.
12:17 – “Lutje Zotit”, shkrimi i Rugovës më 12 qershor, 1999
Në 17-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, lexuesve tanë ua kthejmë një nga kujtimet më të paharrueshme të historisë sonë të luftës për liri dhe çlirimit.
Kjo është “Lutje Zotit” e shkruar nga Rugova më 12 qershor 1999, në ditën e lirisë së vendit kur forcat serbe po largoheshin përfundimisht nga Kosova dhe shqiptarët po i prisnin me lule dhe përqafime luftëtarët e lirisë dhe aleatët e saj, NATO-n, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Klankosova.tv.
Nëpërmjet kësaj lutjeje, ish-presidenti Rugova lutej e falënderonte Zotin për kthimin e shqiptarëve në tokën e tyre.
Më poshtë e gjeni lutjen e plotë të ish-presidentit Rugova:
11:14 – Haradinaj kujton Rugovën: Ai vuri themelet e shtetit tonë të pavarur
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova në përvjetorin e vdekjes.
Haradinaj ka thënë se presidenti Rugova do të kujtohet si njëri ndër personalitetet kryesore që tërë jetën ia kushtoi lirisë se vendit.
“Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova do të mbetet përjetësisht në kujtimet tona si njëri ndër personalitet kryesore që tërë jetën e tij ia kushtoi lirisë së vendit dhe i vuri themelet e shtetit tonë të pavarur”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, përcjell Klankosova.tv.
Ai ka thënë se e kishte për nder që të në kohën kur ishte kryeministër që bashkëpunonoi me të.
“E kisha për nder që të bashkëpunoj me të në ditët e para të lirisë e në një periudhë kritike të shtetndërtimit. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt shembullin dhe vizionin e tij”, u shpreh Haradinaj.
11:03 – Rama për Rugovën: E përkujtojmë dedikimin dhe rrugëtimin paqësor të tij drejt pavarësisë
Kryetari i Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e tij të vdekjes.
Rama thotë se në 17 vjetorin e vdekjes përkujton dedikimin dhe rrugëtimin paqësor të Rugovës drejt pavarësisë së vendit, njofton Klankosova.tv.
“Në 17 vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, përkujtojmë dedikimin e tij të pareshtur dhe rrugëtimin paqësor drejt pavarësisë së vendit tonë”, ka shkruar Rama në Twitter.
10:31 – Osmani: Ashtu siç diti Rugova të ndërtojë miq e aleatë, ashtu do t’i ruajmë ato në rrugën tonë përpara
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nderuar lartë jetën dhe veprën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.
Osmani thotë se Rugova iu dha zë të gjitha kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, njofton Klankosova.tv.
“Sot në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik, Ibrahim Rugova, e përkujtojmë me mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.
“Natyrisht se është trashëgimia që ai la pas që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pandalura për shtetin tonë dhe shtetin që u ndërtua me aq shumë mund e sakrificë të shumë burrave e grave të Kosovës”.
Osmani, mes tjerash, tha se ashtu siç Rugova ndërtoi miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta ashtu do të vazhdojnë t’i ruajn këto aleanca në rrugën përpara të vendit.
“Ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta e të rënda ashtu do i ruajmë këto aleanca në rrugën tonë përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm është kujtimi për të , trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe në brezat e ardhshëm”, tha presidentja Osmani.
Kujtojmë se ish-presidenti Ibahim Rugova u nda nga jeta më 21 janar të vitit 2006.
10:22 – Kurti: E kujtojmë ish-presidentin Rugova për qëndrimin intelektual dhe sjelljen paqësore
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 17-vjetorin e vdekjes së tij.
Kurti tha se bashkë me Osmanin vendosën lule të freskëta tek varri i ish-presidentit Rugova, për të cilin tha se kujtohet për shumë gjëra.
“21 janari është ditë e ftohtë dhe një ditë në të cilën teksa e kujtojmë ish-presidentin Ibrahim Rugova, kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, sjelljen paqësore, çështjen humaniste dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovë”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
10:12 – Ambasadorët e huaj në Kosovë bëjnë homazhe tek varri i Rugovës
Pas krerëve të vendit edhe ambasadorët e huaj në Kosovë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë bërë homazhe tek varri i Rugovës, njofton Klankosova.tv.
10:10 – Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.
Osmani dhe Kurti vendosën edhe kurora lulesh te varri i Rugovës, njofton Klankosova.tv.
Homazhe e lule vendosën edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog.
10:05 – LDK-ja nderon Rugovën në 17 vjetorin e vdekjes, Abdixhiku: Ishte ati themeltar i Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe bashkëpartiakët e tij kanë bërë homazhe tek varri i ish-presdentit historik, Ibrahim Rugova, me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së tij.
Abdixhiku thotë se Rugova ishte themeltar i lirisë e Pavarësisë së Kosovës dhe sot më shumë se kurrë ia ndjejnë mungesën, njofton Klankosova.tv.
“Sot si çdo 21 janar shënojmë dhe nderojmë presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili tash e 17 vite nuk është mes nesh. Por, gjurmët e tij dhe trashëgimia e tij politike vazhdon të jetë qenësore për ne dhe Republikën e Kosovës”.
“Ibrahim Rugova ishte ati themeltarë i shtetit të Kosovës dhe prijësi ikonik lëvizjes nacionale më të madhe shqiptare, ishte shqiptari më i madh i historisë së popullit të Kosovës dhe përpjekja e angazhimi i tij për liri,pavarësi e demokraci është suksesi më i madh historik i shqiptarëve”.
“Sot ndjejmë mungesën e tij, të urtësisë së tij dhe vizitonit të tij për një Kosovë demokratike. Lavdi jetës dhe veprës së Rugovës”, tha Abdixhiku.
08:00 – Presidentja Osmani bën sot homazhe pranë varrit të ish-presidentit Rugova
Presidentja Vjosa Osmani do të bëjë sot homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së tij.
Osmani do të vë kurora pranë varrit të tij në Prishtinë, rreth orës 10:00.
Homazhe tek varri i ish-presdentit do të bëj edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me bashkëpartiakë, rreth orës 09:00. /Klankosova.tv/
07:54 – 17 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova
Sot shënohet 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia kanë pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.
Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është mar rëqë nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Dr. Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës,është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe është varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.
Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.