Afrim Gashi duhet të ofrojë dorëheqjen para organeve partiake, thotë analisti politik Urim Saliu. Sipas tij, ai duhet të jep dorëheqje edhe për shkakun se për një kohë të gjatë nuk e ka të bashkuar partinë sepse njëri prej deputetëve dhe ndër themeluesit e partisë është tashmë një deputet i pavarur.

“Zakonisht nuk ndodhë që liderët e partive shqiptare të japin dorëheqje si një akt i lartë moral, por si në gjithë rastet tjera Afrim Gashi duhet të ofrojë dorëheqjen para organeve partiake. Ai nuk ishte në gjendje ta kuptojë kurthin e ngritur jo vetëm nga LSDM ose parti tjera, por edhe për shkakun se ai për një kohë të gjatë nuk e ka të bashkuar partinë sepse njëri prej deputetëve dhe ndër themeluesit e partisë është tashmë një deputet i pavarur. Dalja nga qeveria ishte vetëm një çështje kohe sepse secila parti duhet të jetë pjesë e saj përmes votës popullore me fitoren në zgjedhje dhe jo duke hyrë në kombinatorika interesash partiake për të ngritur subjektin përmes të qenit në qeveri pa ndonjë peshë të caktuar. Alternativa e Gashit në kohën e bashkëqeverisjes nuk la asnjë gjurmë për njërën ndër premtimet kryesore që ka të bëjë me rastet e montuara dhe për sjelljen e ndërkombëtarëve për të hetuar këto raste. Ky është dështimi më i madh i tyre , më tepër se sa pjesa tjetër e veprimit të tyre në politikë”, deklaroi Saliu për Indeks.mk

Në anën tjetër ish-deputeti dhe një ndër themeluesit e partisë Alternativa, tani deputet i pavarur Skender Rexhepi-Zejd do të voton ri-formatimin e Qeverisë. Ai në një prononcim për Indeks.mk thotë se parimisht është pro, por ka edhe disa vërejtje dhe kushte.

“Në parim jam për të përkrahur rekonstruimin e qeverisë. Unë kisha dhe kam vërejtjet e mia ndaj qeverisë para dhe asaj që duhet të vjen, por vërejtjet e mia do ti them në kohën në vijim, ndërsa në bazë të rrethanave do të diskutoj edhe pozitën time dhe përgjegjësinë qeverisëse në kuadër të shumicës”, deklaroi Rexhepi.

Seanca për votimin e Qeverisë së re është caktuar për 13 shkurt (e hënë) me fillim në orën 15:00